1 Samuelit 29

Filistinët dëbojnë Davidin

Filistinët i mblodhën tërë trupat në Afek, ndërsa izraelitët fushuan te burimi i Izrelit. Prijësit filistinë parakaluan me njësitë qindëshe e mijëshe, Davidi me njerëzit e tij parakaluan të fundit bashkë me Akishin. Prijësit e filistinëve thanë: «Ç’kërkojnë këta hebrenj?». Akishi iu përgjigj: «Pse jo? Ky është Davidi, shërbëtori i Saulit, mbretit të Izraelit. Ai është me mua prej kohësh e nuk kam asnjë qortim për të, që kur është arratisur e deri tani». Prijësit e filistinëve u zemëruan e i thanë: «Ktheje këtë njeri te vendi që i caktove. Të mos vijë me ne në luftë, se do të na dalë kundër në betejë. E si do të pajtohet ky me zotërinë e vet, përveçse me kokat e njerëzve tanë? A nuk është ky Davidi, për të cilin hidhnin valle e këndonin:

“Sauli vrau me mijëra,

Davidi me dhjetëra mijëra”?».

Atëherë Akishi e thirri Davidin e i tha: «Pasha Zotin, ti je njeri i drejtë. Unë doja që ti të vije me mua në fushim, se nuk kam gjetur asnjë ligësi në ty që nga dita kur erdhe tek unë e deri më sot, por ti nuk u pëlqen prijësve. Kthehu, shko në paqe e mos i fyej prijësit e filistinëve». Davidi iu përgjigj: «Çfarë kam bërë? Ç’faj ke gjetur te shërbëtori yt, që prej ditës kur erdha te ti e deri tani, që të mos vij në luftë kundër armiqve të zotërisë tim, mbretit?». Akishi iu përgjigj Davidit: «E di se je i mirë. Për mua je si engjëll Perëndie, por prijësit e filistinëve më kërkuan të mos dilje në luftë me ne. 10 Prandaj ngrihu herët bashkë me shërbëtorët e zotërisë tënd që kanë ardhur me ty. Ngrihuni me t’u gdhirë e shkoni». 11 Davidi e njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes e u nisën për t’u kthyer në tokën e filistinëve. Filistinët u ngjitën drejt Izrelit.