1 Samuelit 27

Strehimi i Davidit

Davidi tha me vete: «Ndonjë ditë Sauli do të më heqë qafe. Më mirë të shkoj në tokën e filistinëve. Sauli do të mërzitet duke më kërkuar në mbarë krahinën e Izraelit e unë do të shpëtoj prej dorës së tij». Kështu, Davidi, bashkë me gjashtëqind burra, u ngrit e shkoi tek Akishi, biri i Maokut, mbreti i Gatit. Davidi u vendos në Gat tek Akishi, ai e njerëzit e tij, secili në shtëpinë e vet. Davidi i kishte me vete të dyja gratë, Ahinoamën prej Izrelit e Abigajlën, gruan e Nabalit prej Karmelit. Kur e njoftuan se Davidi kishte ikur në Gat, Sauli nuk e gjurmoi më.

Davidi i tha Akishit: «Nëse kam gjetur hir para teje, më jep një vendbanim në fushë, në njërin nga qytetet e tua. Përse të banojë shërbëtori yt bashkë me ty në qytetin mbretëror?». Akishi i dha atë ditë Ciklagun, prandaj edhe sot e kësaj dite Ciklagu i përket Judës. Davidi banoi në vendin e filistinëve një vit e katër muaj.

Davidi me njerëzit e tij dilnin e plaçkitnin geshuritët, gizritët e amalekitët, se këta ishin banorët e lashtë, prej Shurit deri në tokën e Egjiptit. Kur Davidi sulmonte një vend, nuk linte gjallë as burra, as gra. Ua merrte dhentë, bagëtitë, gomarët, devetë e plaçkat e kthehej në Akish. 10 Kur Akishi e pyeste: «Cilin vend plaçkite sot?», ai përgjigjej: «Negevin e Judës, Negevin e Jerahmelit e Negevin e Keniut». 11 Davidi nuk linte gjallë asnjë burrë e asnjë grua dhe nuk sillte njeri në Gat, që të mos e paditnin e të thoshin: «Kështu veproi Davidi!». Kjo ishte sjellja e tij gjatë gjithë kohës që banoi në vendin e filistinëve. 12 Akishi i zinte besë Davidit e thoshte: «Është bërë i urryer për popullin e vet në Izrael. Ka për të mbetur përherë shërbëtori im!».