1 Samuelit 26

Davidi fal sërish Saulin

Zifitët shkuan te Sauli në Gibeah e i thanë: «Davidi po fshihet në malësinë e Hakilahut, kundruall Jishmonit». Sauli u ngrit e shkoi në shkretëtirën e Zifit për të kërkuar Davidin. Me të ishin tre mijë izraelitë të përzgjedhur. Sauli fushoi buzë rrugës në malësinë e Hakilahut që ishte kundruall Jishmonit. Davidi banonte në shkretëtirë e, kur pa se Sauli po e ndiqte në shkretëtirë, dërgoi përgjues dhe mësoi vendin ku kishte mbërritur Sauli. Pastaj ai u ngrit e shkoi ku fushonte Sauli. Davidi e vrojtoi vendin ku pushonin Sauli e Abneri, biri i Nerit, prijësi i ushtrisë. Në mes të fushimit po pushonte Sauli me ushtrinë përreth.

Atëherë Davidi i tha Ahimelek Hititit e Abishait, birit të Cerujahut, vëllait të Joabit: «Kush do të zbresë me mua te fushimi i Saulit?». Abishai i tha: «Do të zbres unë me ty». Davidi e Abishai shkuan gjatë natës tek ushtria. Sauli po flinte në fushim me heshtën e ngulur në tokë pranë kokës. Abneri e ushtria flinin përreth tij. Abishai i tha Davidit: «Sot Perëndia ta ka lënë në dorë armikun. Më lër ta ngul në tokë me një të rënë të heshtës pa e goditur dy herë». Por Davidi i tha: «Mos i bëj keq. Kush ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit dhe mbetet i pafajshëm?». 10 Davidi shtoi: «Pasha Zotin, ose do ta godasë Zoti, ose do t’i vijë vdekja vetë, ose do të bjerë në luftë e do të marrë fund. 11 Mos e thëntë Zoti që unë të ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit. Merrja heshtën pranë kokës e katruven e ujit dhe eja të ikim». 12 Davidi mori heshtën e katruven e ujit, që ishin pranë kokës së Saulit, e ata ikën. Askush nuk i pa, askush nuk mori vesh gjë e askush nuk u zgjua. Të gjithë po flinin, se i kishte zënë një gjumë i thellë prej Zotit.

13 Davidi kaloi në anën tjetër e qëndroi në majë të malit. Ata ishin shumë larg njëri-tjetrit. 14 Atëherë Davidi i thirri ushtrisë e Abnerit, birit të Nerit, e u tha: «Përgjigjmu, o Abner!». Abneri ia ktheu: «Kush je ti që po i thërret mbretit?». 15 Davidi i tha: «A je burrë? Kush është si ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte, zotërinë tënd, mbretin? Dikush nga populli erdhi t’i bënte keq mbretit, zotërisë tënd. 16 Kjo nuk është gjë e mirë. Pasha Zotin, ju meritoni të vdisni, se nuk e keni ruajtur zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit. Shikoni, pra, a nuk janë këto heshta e katruvja e ujit që mbante te koka mbreti?».

17 Sauli e njohu zërin e Davidit e i tha: «A është zëri yt ky, o David, biri im?». Davidi iu përgjigj: «Po, imzot, mbret». 18 Ai shtoi: «Përse e përndjek kështu shërbëtorin tënd, imzot? Çfarë kam bërë? Ç’faj kam? 19 Dëgjoje, pra, o imzot, fjalën e shërbëtorit tënd. Nëse të ka ngucur Zoti kundër meje, atë e qetësoftë flija erëkëndshme! Por, në qofshin njerëzit, mallkuar qofshin para Zotit, se më kanë hequr nga trashëgimia e Zotit e më kanë thënë: “Ik e shërbeju perëndive të tjerë!”. 20 Prandaj mos e lër gjakun tim të derdhet larg pranisë së Zotit, se mbreti i Izraelit ka dalë të ndjekë një plesht, a thua se po gjuan ndonjë thëllëzë mali».

21 Atëherë Sauli i tha: «Kam mëkatuar! Kthehu biri im, David, se nuk do të të bëj më keq. Sot tregove se jeta ime është e shtrenjtë për ty. Kam vepruar si i marrë e kam gabuar shumë rëndë!». 22 Davidi iu përgjigj: «Ja ku e ke heshtën, o mbret. Dërgo një nga djelmoshat ta marrë. 23 Zoti shpërbleftë këdo sipas drejtësisë e besnikërisë së vet! Sot ai të dorëzoi në duart e mia, por unë nuk desha të ngrija dorë kundër të vajosurit të Zotit24 Siç ishte sot jeta jote e shtrenjtë për mua, ashtu është edhe jeta ime para Zotit. Ai më shpëtoftë prej çdo rreziku!». 25 Sauli i tha Davidit: «Bekuar qofsh, o David, biri im. Të priftë e mbara në çdo gjë që bën». Atëherë Davidi shkoi udhës së vet e Sauli u kthye në vendin e vet.