1 Samuelit 24

Davidi i kursen jetën Saulit

k Davidi iku prej andej e jetoi në fortesat e En Gedit. Kur Sauli u kthye nga ndjekja e filistinëve, e njoftuan e i thanë: «Ja, Davidi është në shkretëtirën e En Gedit». Atëherë ai mori tre mijë burra të përzgjedhur nga mbarë Izraeli e shkoi drejt Shkëmbinjve të Dhive për të kërkuar Davidin e njerëzit e tij. Mbërriti te vatha e dhenve që ishte rrugës. Atje ishte një shpellë. Sauli hyri aty për të kryer nevojat. Në atë shpellë ishte fshehur Davidi me njerëzit e vet Atëherë njerëzit e Davidit i thanë: «Ja, sot është dita. Zoti, Perëndia yt, të pati thënë se do të ta dorëzonte armikun tënd që të bësh me të si të duash». Davidi u ngrit e preu tinëz një copë nga petku i Saulit. Më vonë Davidit i erdhi keq që i preu rrobën Saulit. Pastaj u tha njerëzve të vet: «Zoti më ruajt, t’i bëj ndonjë gjë timzoti e të ngre dorë kundër të vajosurit të Zotit. Ai është i vajosuri i Zotit». Davidi i qortoi njerëzit e vet me këto fjalë e nuk i lejoi t’i suleshin Saulit. Sauli doli prej shpellës e vijoi rrugën.

Pastaj Davidi doli prej shpellës e i thirri Saulit: «Imzot, mbret!». Sauli ktheu kokën, Davidi u përkul me fytyrë përdhe dhe e nderoi. 10 Atëherë Davidi i tha: «Përse dëgjon fjalët e të tjerëve kur të thonë se Davidi ta do të ligën? 11 Ja, sot e pe me sytë e tu se Zoti të la në dorën time kur ishe në shpellë. Më thanë të të vrisja, por m’u dhimbse e thashë: “Nuk ngre dorë kundër timzoti, se ai është i vajosuri i Zotit”. 12 Shiko, ati im, në dorë kam një copë prej petkut tënd. Të preva një copë prej petkut, por nuk të vrava. Dije, pra, se nuk kam ndër mend të kryej ndonjë ligësi apo paudhësi dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje. Je ti që më zë pritë për të më vrarë. 13 Zoti gjykoftë mes meje e teje. Zoti ma marrtë hakun, se dora ime nuk do të ngrihet kundër teje. 14 Siç thotë një fjalë e urtë e moçme: “Prej të paudhëve rrjedh paudhësia”, prandaj dora ime nuk do të ngrihet kundër teje! 15 Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Kë po ndjek ti? Një qen të ngordhur, një plesht! 16 Zoti gjykoftë e vendostë mes meje e teje! Ai e paftë dhe e mbrojttë çështjen time e prej dorës tënde më çliroftë».

17 Pas këtyre fjalëve, Sauli tha: «Zëri yt është ky që dëgjoj, o David, biri im?». Dhe u shkreh në vaj. 18 Pastaj i tha Davidit: «Ke të drejtë ti e jo unë! Ti je sjellë mirë me mua, por unë jam sjell keq! 19 Sot tregove mirësi ndaj meje, se nuk më vrave edhe pse Zoti më la në dorën tënde. 20 Kush është ai që e kap armikun dhe e lë të lirë? Zoti ta shpërbleftë me të mira atë që bëre sot për mua, 21 se e di që do të bëhesh mbret dhe se do ta kesh në dorë mbretërinë e Izraelit. 22 Prandaj m’u beto për Zotin se nuk do ta shuash farën time pas meje dhe se nuk do ta zhdukësh emrin tim prej shtëpisë së tim eti».

23 Atëherë Davidi iu betua Saulit. Sauli shkoi në shtëpi e Davidi me njerëzit e vet shkoi në fortesë.


 k24.1 të tjerë e rendisin si 23.29