1 Samuelit 20

Jonatani ndihmon Davidin

Davidi u largua prej Najotit, në Ramah. Ai shkoi te Jonatani e i tha: «Çfarë kam bërë? Ç’faj kam? Ç’të keqe i bëra tyt eti që kërkon të më marrë jetën?». Ai iu përgjigj: «Larg qoftë të vdesësh! Im atë nuk bën as gjënë më të vogël pa më treguar. Pse do të ma fshihte këtë gjë? Nuk është kështu!». Davidi iu zotua e tha: «Yt atë e di mirë se ti më përkrah dhe mendon: “Mos ta dijë Jonatani, që të mos hidhërohet!”. Por, pasha Zotin e pasha jetën tënde, vetëm një hap më ndan nga vdekja!». Jonatani i tha: «Do të veproj si të duash ti!». Davidi i tha: «Ja, është hënë e re dhe mua më duhet të ulem e të ha me mbretin. Më lër të fshihem në fushë për tri net. Nëse yt atë më kërkon me ngulm, thuaji se m’u desh të të kërkoja ndjesë për të shkuar me të shpejtë në Betlehem që të kushtoja flinë e përvitshme me mbarë fisin. Nëse thotë: “Mirë”, atëherë nuk ka rrezik për shërbëtorin tënd. Nëse zemërohet, dije se ka vendosur të më vrasë. Tregohu besnik me shërbëtorin tënd, se lidhëm besën me njëri-tjetrin para Zotit. Nëse kam faj më vrit vetë, por mos më ço tek yt atë». Jonatani i tha: «Larg qoftë! Po ta kisha ditur se im atë kishte vendosur të të vriste, a nuk do të ta tregoja?». 10 Atëherë Davidi i tha: «Kush do të më njoftojë nëse yt atë të përgjigjet ashpër?». 11 Jonatani iu përgjigj: «Eja të dalim në fushë». Atëherë dolën të dy në fushë.

12 Jonatani i tha: «Pasha Zotin, Perëndinë e Izraelit, nesër apo pasnesër, si në këtë kohë, do ta zbuloj se ç’mendon im atë. Nëse ta do të mirën do të të çoj fjalë. 13 Nëse të do të ligën, keq e më keq ma bëftë Zoti po nuk të çova fjalë e nuk të lashë të ikësh në paqe. Zoti qoftë me ty siç ka qenë me atin tim. 14 Sa të jem gjallë, sillu me mua sipas mirësisë së Zotit. Po të vdes, 15 mos ia moho kurrë shtëpisë sime mirësinë tënde, as kur Zoti t’i ketë shuar nga faqja e dheut të gjithë armiqtë e Davidit». 16 Jonatani lidhi besën me shtëpinë e Davidit e tha: «Zoti ua ktheftë armiqve të Davidit!». 17 Jonatani e vuri në be Davidin për dashurinë që kishte për të, se e donte si veten.

18 Pastaj Jonatani i tha: «Nesër është hënë e re dhe mungesa jote në tryezë do të vihet re. 19 Pasnesër zbrit e shko te vendi ku u fshehe më parë e ndalu te pirgu i gurëve. 20 Unë do të gjuaj tri shigjeta anash gjoja se po qëlloj në shenjë. 21 Do ta çoj djaloshin për të gjetur shigjetat e kur t’i them: “I ke shigjetat nga ana jote. Shko e merri!”, ti eja se, pasha Zotin, je i sigurt e nuk ka rrezik. 22 Po t’i them djaloshit: “I ke shigjetat përtej”, ik se Zoti po të largon. 23 Për këtë që folëm kemi Zotin dëshmitar».

24 Atëherë Davidi u fsheh në fushë. Kur doli hëna e re, mbreti u ul të hante. 25 U ul te vendi pranë murit, siç ulej përherë. Jonatani u ul përballë, Abneri përbri, ndërsa vendi i Davidit ishte bosh.

26 Atë ditë Sauli nuk tha gjë, se mendoi që Davidi mund të kishte qenë i papastër për ndonjë arsye dhe se nuk ia kishte dalë dot të pastrohej. 27 Të nesërmen, ditën e dytë pas hënës së re, vendi i Davidit ishte përsëri bosh. Atëherë Sauli i tha Jonatanit, të birit: «Përse biri i Jeseut nuk ka ardhur të hajë as dje, as sot?». 28 Jonatani iu përgjigj: «Davidi m’u lut të shkonte në Betlehem. 29 Ai më tha: “Të lutem, më lër të shkoj në qytet për të kushtuar flinë me fisin. Më ka urdhëruar im vëlla, prandaj, nëse kam gjetur hir para teje, më lër të largohem, që të shoh vëllezërit”. Prandaj nuk ka ardhur në tryezën e mbretit».

30 Atëherë Sauli u zemërua fort me Jonatanin e i tha: «Bir i bushtrës së pabesë! Pse, nuk e di unë se ke zgjedhur birin e Jeseut? S’të vjen turp as për vete e as për lakuriqësinë e sat ëme! 31 Për sa kohë të jetojë mbi tokë biri i Jeseut, as ti dhe as mbretëria jote nuk do të jenë të sigurta, prandaj shko e ma sill, se ai ka për të vdekur!». 32 Jonatani iu përgjigj Saulit, të atit: «Pse të vdesë? Çfarë ka bërë?». 33 Por Sauli e gjuajti me heshtë. Atëherë Jonatani e kuptoi se i ati kishte vendosur ta vriste Davidin. 34 Jonatani u ngrit nga tryeza i zemëruar dhe ditën e dytë të hënës së re nuk hëngri, sepse u pikëllua për Davidin dhe se i ati e kishte përbuzur.

35 Në të gdhirë Jonatani shkoi në fushë për të takuar Davidin. Me të ishte edhe një djalosh i vogël. 36 Ai i tha djaloshit: «Vrap, m’i mblidh shigjetat që po gjuaj!». Djaloshi vrapoi e Jonatani i gjuajti shigjetat përtej tij. 37 Kur djaloshi mbërriti te vendi ku ishin shigjetat, që kishte gjuajtur Jonatani, ai i thirri djaloshit e i tha: «Nuk i ke shigjetat nga ana jote, janë përtej! 38 Nxito, mos u vono!». Djaloshi i Jonatanit i mblodhi shigjetat dhe erdhi tek i zoti. 39 Djaloshi nuk kuptoi asgjë. Vetëm Jonatani e Davidi e dinin për çfarë bëhej fjalë. 40 Atëherë Jonatani i dha djaloshit armët e veta e i tha: «Shko e m’i ço në qytet!». 41 Sapo iku djaloshi, Davidi doli nga mbrapa gurit e ra me fytyrë përdhe tri herë. U puthën e zunë të qanin. Davidi qau më shumë. 42 Pastaj Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, se të dy u zotuam në emër të Zotit kur thamë: “Zoti qoftë dëshmitar përherë mes meje e teje, mes pasardhësve të mi e pasardhësve të tu!”».