1 Samuelit 12

Fjalimi i Samuelit

Samueli i tha mbarë Izraelit: «Jua dëgjova fjalën për gjithçka më thatë e ju vura një mbret. Tani ka për t’ju prirë mbreti. Unë u plaka, u thinja e bijtë e mi janë me ju. Ju kam prirë që në rini e deri tani. Ja ku më keni. Nëse i kam marrë ndokujt kaun apo gomarin, nëse kam shfrytëzuar apo keqtrajtuar ndokënd, nëse i kam marrë mitë dikujt për të mbyllur një sy, ata le të dëshmojnë kundër meje në prani të Zotit e të vajosurit të tij dhe unë do t’ua kthej». Ata u përgjigjën: «Nuk na ke shfrytëzuar apo keqtrajtuar, as nuk ke marrë send prej dorës së ndokujt». Ai u tha: «Sot, pra, Zoti dhe i vajosuri i tij janë dëshmitarë që ju nuk keni gjetur asnjë faj në mua». Ata u përgjigjën: «Ai është dëshmitar!».

Samueli i tha popullit: «Është Zoti, ai që caktoi Moisiun e Aronin dhe që i nxori etërit tuaj prej tokës së Egjiptit. Tani, pra, zini vend e unë do të bëj gjyq me ju para Zotit për të gjitha veprat e drejta që Zoti bëri për ju e për etërit tuaj. Pasi Jakobi mbërriti në Egjipt, etërit tuaj i thirrën Zotit. Ai dërgoi Moisiun e Aronin dhe ata i nxorën etërit tuaj prej Egjiptit e i vunë të banonin në këtë vend. Por populli e harroi Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i dorëzoi te Siseri, prijësi i ushtrisë së Hacorit, te filistinët e te mbreti i Moabit, që luftuan kundër tyre. 10 Atëherë i thirrën Zotit e thanë: “Mëkatuam, se e braktisëm Zotin dhe u shërbyem Baalëve e Ashtarotës. Na shpëto, tani, prej dorës së armiqve dhe ne do të të shërbejmë ty”. 11 Atëherë Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedaningj, Jeftahun dhe Samuelin. Ai ju shpëtoi prej duarve të armiqve përreth e ju jetuat të qetë. 12 Kur patë që erdhi kundër jush Nahashi, mbreti i amonitëve, më thatë: “Jo, duam një mbret mbi ne”, edhe pse Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj. 13 Ja, ku e keni mbretin që zgjodhët, mbretin që kërkuat. Ja, Zoti jua dha mbretin. 14 Nëse e druani Zotin, nëse i shërbeni atij, nëse ia dëgjoni zërin e nuk ngrini krye kundër fjalës së Zotit, por e ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj, do të keni mbarësi ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju. 15 Nëse nuk e dëgjoni zërin e Zotit dhe ngrini krye kundër fjalës së Zotit, dora e Zotit do të shtrihet kundër jush e mbretith tuaj. 16 E tani, zini vend, që të shihni këtë gjë madhështore që Zoti do të bëjë para syve tuaj. 17 A nuk korret gruri sot? Do ta thërras Zotin që të çojë bubullima e shi dhe do ta kuptoni e do ta shihni sa e madhe është prapësia juaj në sytë e Zotit, që kërkuat mbret për vete». 18 Atëherë Samueli i thirri Zotit e Zoti dërgoi bubullima e shi po atë ditë. Gjithë populli u frikësua shumë prej Zotit e Samuelit 19 e i tha Samuelit: «Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu që të mos vdesim, se tërë mëkateve tona u shtuam edhe këtë ligësi duke kërkuar mbret për vete». 20 Por Samueli i tha popullit: «Mos kini frikë. Ju e bëtë gjithë këtë ligësi, por mos u largoni prej Zotit. Shërbejini Zotit me gjithë zemër. 21 Mos u tërhiqni pas kotësive, që nuk ju ndihmojnë e nuk ju shpëtojnë dot, se nuk janë asgjë. 22 Zoti nuk ka për ta braktisur popullin e tij për shkak të emrit të tij të madhërishëm. Zoti vendosi t’ju bënte ju popullin e vet. 23 Edhe për mua, qoftë larg të mëkatoj kundër Zotit, e të mos lutem më për ju. Do t’ju mësoj udhën e mbarë e të drejtë. 24 Veç, druani Zotin, shërbejini atij me gjithë zemër e besnikërisht dhe shqyrtoni veprat madhështore që bëri për ju. 25 Por, nëse vazhdoni të bëni ligësi, do të zhdukeni ju dhe mbreti».


 gj12.11 të tjerë: Barakun

 h12.15 ose: etërve