1 Pjetrit 2

Guri i gjallë

Hidhni tej çdo lloj ligësie e çdo lloj mashtrimi, hipokrizie, smire apo përgojimi! Dëshironi qumështin e pastër shpirtëror si foshnja të sapolindura, që të rriteni drejt shpëtimit. Ju e keni shijuar se Zoti është i mirë.

Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia. Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. Sepse Shkrimi thotë:

unë zgjodha një gur të çmuar

dhe e vura në Sion

si gurin e qoshes.

Kush beson në të

nuk do të turpërohet.

Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë,

guri që ndërtuesit e hodhën tej

u bë guri i qoshes,

guri që i rrëzon

e shkëmbi që i pengon.

Ata që rrëzohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar.

Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.

10 Ju që dikur nuk ishit popull,

tani jeni populli i Perëndisë.

Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira,

tani u mëshiruat.

Shërbëtorë të Perëndisë

11 Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. 12 Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij.

13 Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, 14 qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. 15 Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t’ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. 16 Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. 17 Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

Shembulli i vuajtjes së Krishtit

18 Ju, shërbëtorë, nënshtrojuni plot druajtje zotërinjve tuaj, jo vetëm atyre që janë të mirë e zemërbutë, por edhe të mbrapshtëve. 19 Se është hir për njeriun që duron mundimet kur vuan padrejtësisht, për shkak se e ka ndërgjegjen sipas Perëndisë. 20 Çfarë vlere ka nëse duroni mundimet kur keni bërë faj? Por nëse duroni vuajtjet kur keni bërë të mirën, kjo është hir para Perëndisë. 21 Për këtë jeni thirrur, sepse edhe Krishti vuajti për juc. Ai ju la shembullin, që të ndiqni edhe ju gjurmët e tij.

22 Ai nuk bëri asnjë mëkat,

në gojën e tij nuk u gjet asnjë mashtrim.

23 Kur poshtërohej,

ai nuk poshtëronte,

kur vuante,

nuk kërcënonte,

por ia la veten në dorë Perëndisë

që gjykon me drejtësi.

24 Ai i mori mëkatet tona

në trupin e vet mbi dru,

që ne të vdesim ndaj mëkatit

e të jetojmë me drejtësi.

Ju u shëruat nga plagët e tij.

25 Ju ishit si dele të humbura,

por tani u kthyet te bariu

e mbikëqyrësi i shpirtrave tuaj.


 c2.21 dorëshk. të tjera: ne