1 Mbretërve 6

Ndërtimi i Tempullit

Në vitin e katërqind e tetëmbëdhjetë pas daljes së Izraelit nga vendi i Egjiptit, në muajin e dytë të vitit të katërt të mbretërimit të Solomonit në Izrael, në muajin Ziv, Solomoni filloi ndërtimin e tempullit të ZotitTempulli që mbreti Solomon ndërtoi për Zotin ishte tridhjetë metra i gjatë, dhjetë metra i gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra i lartë. Portiku në ballinën e anijatës së tempullit ishte dhjetë metra i gjerë, aq sa ishte edhe gjerësia e tempullit, dhe dilte pesë metra nga ballina e tempullit. Në tempull Solomoni vuri dritare me korniza e me rrjeta hekuri. Ngjitur me murin e jashtëm të tempullit, që rrethonte anijatën dhe shenjtëroren, ai ndërtoi dhoma anësore me kate. Kati i poshtëm i dhomave anësore ishte dy metra e gjysmë i gjerë, kati i mesëm tre metra dhe kati i tretë tre metra e gjysmë, sepse murin e jashtëm të tempullit e kishte bërë me dalje si shkallare, në mënyrë që trarët të mos hynin brenda në mur.

Tempulli u ndërtua me gurë të latuar që në gurore, kështu që gjatë ndërtimit të tij, nuk u dëgjua as çekiç, as sëpatë e as ndonjë vegël tjetër hekuri.

Hyrja për në katin e poshtëm ishte në anën e djathtë të tempullit. Me anë të shkallëve rrethore ngjiteshe në katin e mesëm dhe nga kati i mesëm në katin e tretë. Kur mbaroi ndërtimi i mureve, Solomoni e mbuloi tempullin me trarë e me dërrasa cedri. 10 U ndërtuan edhe dhomat anësore përreth tempullit. Çdo kat ishte dy metra e gjysmë i lartë dhe lidhej me tempullin me trarë cedri.

11 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Solomonit: 12 «Ti po e ndërton këtë tempull. Nëse ecën sipas rregullave të mia, nëse zbaton vendimet e mia dhe nëse ruan të gjitha urdhërimet e mia dhe i ndjek ato, atëherë do ta përmbush për ty premtimin që i bëra Davidit, atit tënd, 13 se do të banoj mes izraelitëve dhe se nuk do ta braktis kurrë popullin tim Izraelin».

14 Pasi Solomoni ndërtoi ngrehinën e tempullit, 15 i veshi muret e tij me dru cedri, prej dyshemesë deri në tavan. Edhe tavanin e veshi me dru cedri, ndërsa dyshemenë e shtroi me dërrasa qiparisi. 16 Në pjesën e pasme të tempullit, ai ndërtoi një ndarje dhjetë metra të gjatë dhe e veshi me dru cedri, nga dyshemeja në tavan. Kjo ndarje ishte shenjtërorja dhe quhej shenjtërorja e shenjtëroreve. 17 Pjesa tjetër e tempullit, anijata, që ndodhej përpara shenjtërores, ishte njëzet metra e gjatë. 18 Drurët e cedrit, që vishnin muret e brendshme të tempullit, ishin të gdhendur me trajta kungujsh dhe gonxhe lulesh të çelura. Gjithçka ishte e veshur me dru cedri dhe nuk dukej asnjë gur. 19 Shenjtëroren, që ishte në pjesën e brendshme të tempullit, Solomoni e bëri gati për të vendosur arkën e besëlidhjes së Zotit20 Shenjtërorja ishte dhjetë metra e gjatë, dhjetë metra e gjerë e dhjetë metra e lartë. Solomoni e veshi të tërën me ar të pastër, ndërsa altarin e punoi me dru cedri. 21 Pjesën e brendshme të tempullit e veshi me ar të pastër dhe vuri vargonj ari përpara shenjtërores së veshur po me ar. 22 Kështu, Solomoni e veshi të gjithë tempullin me ar. Edhe altarin, që ishte brenda në shenjtërore, e veshi po me ar.

23 Brenda shenjtërores Solomoni punoi dy kerubë prej druri ulliri, pesë metra të lartë. 24 Të dy krahët e kerubit ishin nga dy metra e gjysmë. Largësia nga maja e njërit krah deri te maja e krahut tjetër ishte pesë metra. 25 Edhe kerubi i dytë kishte largësi pesë metra. Të dy kerubët kishin të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë. 26 Lartësia e njërit kerub ishte pesë metra dhe po aq ishte edhe lartësia e tjetrit. 27 Kerubët i vendosi në mes të dhomës së brendshme të tempullit. Kerubët i kishin krahët të hapur. Kështu, njëri krah i njërit kerub prekte njërën anë të murit dhe krahu i kerubit tjetër prekte anën tjetër të murit. Dy krahët e tjerë të kerubëve puqeshin në mes të tempullit. 28 Solomoni i veshi kerubët me ar.

29 Në të gjitha muret e tempullit, brenda e jashtë, ai gdhendi pamje kerubësh, palmash dhe gonxhesh të çelura. 30 Edhe dyshemenë e tempullit e veshi me ar, si brenda, dhe jashtë.

31 Derën e shenjtërores e bëri me dy kanate druri ulliri. Arkitrau dhe shtalkat kishin trajtën e një pesëkëndëshi. 32 Mbi dy kanatet e derës ai gdhendi pamje kerubësh, palmash e gonxhesh të çelura, i veshi me ar e u dha trajtën e kerubëve dhe të palmave.

33 Të njëjtën gjë bëri edhe me hyrjen e tempullit. Shtalkat i bëri me dru ulliri dhe në trajtë katërkëndëshe. 34 Dy kanatet i bëri me dru qiparisi. Çdo kanat kishte nga dy pjesë që paloseshin. 35 Mbi to gdhendi kerubë, palma e gonxhe të çelura dhe gdhendjet i veshi me ar në mënyrë të njëtrajtshme. 36 Pastaj ndërtoi tremen e brendshme me tre rreshta gurësh të latuar e një rresht trarësh cedri.

37 Themelet e tempullit të Zotit u hodhën në muajin Ziv të vitit të katërt, 38 ndërsa në muajin Bul, që është muaji i tetë, të vitit të njëmbëdhjetë, mbaroi ndërtimi i tempullit dhe i gjithë pjesëve të tij, ashtu siç ishte menduar. Solomoni e ndërtoi tempullin për shtatë vjet.