1 Mbretërve 4

Zyrtarët e mbretërisë së Solomonit

Mbreti Solomon mbretëronte mbi mbarë Izraelin. Zyrtarët e lartë të mbretërisë së tij ishin Azarjahu, biri i Cadokut, prift; Elihorefi e Ahijahu, të bijtë e Shishait, shkrues; Joshafati, biri i Ahiludit, shkresar; Benajahu, biri i Jehojadait, kreu i ushtrisë; Cadoku dhe Abiatari, priftërinj; Azarjahu, biri i Natanit, kreu i qeveritarëve; Zabudi, biri i Natanit, prift dhe mik i mbretit; dhe Ahishari, mbikëqyrësi i oborrit mbretëror dhe Adonirami, biri i Abdait, mbikëqyrësi i punës së detyruar.

Solomoni kishte dymbëdhjetë qeveritarë, në të gjithë Izraelin, që kujdeseshin për mbretin dhe për shtëpinë e tij. Secili prej tyre, sipas radhës, i dërgonte mbretit çfarë i nevojitej për çdo muaj. Emrat e tyre ishin këta: Ben Huri në malësinë e Efraimit; Ben Dekeri në Makac, Shalbim, Bet Shemesh dhe Ejlon Bet Hanan; 10 Ben Hesedi në Arubot, të cilit i takonte edhe Sokohu bashkë me mbarë vendin e Heferit; 11 Ben Abinadabi, i cili ishte martuar me bijën e Solomonit, në gjithë krahinën kodrinore të Dorit; 12 Banahu, biri i Ahiludit, në Tanak, Megido, në mbarë krahinën e Bet Sheanit, që ndodhej poshtë Cartanit, në jug të Izrelit, nga Bet Sheani, deri në Abel Meholah e deri përtej Jokmeamit; 13 Bengeberi në Ramot të Gileadit, të cilit i takonin edhe fshatrat e Jairit, birit të Manaseut, që ndodhen në Gilead, bashkë me krahinën e Argobit në Bashan, gjithsej gjashtëdhjetë qytete të mëdha, të rrethuara me mure dhe me porta me shula bronzi; 14 Ahinadabi, biri i Idoit, në Mahanaim; 15 Ahimaci në Neftali, edhe ai i martuar me një nga bijat e Solomonit, Basematën; 16 Banahu, biri i Hushait, në Asher dhe Bealot; 17 Joshafati, biri i Paruahut, në Isahar; 18 Shimei, biri i Elait, në Benjamin; 19 dhe Geberi, biri i Uriut, në tokën e Gileadit, në tokën e Sihonit, mbretit të amoritëve, dhe Ogut, mbretit të Bashanit. Kishte edhe një qeveritar në vendin e Judës.a

Pasuria dhe urtia e Solomonit

20 Banorët e Judës e të Izraelit ishin të shumtë sa rëra e detit. Ata hanin e pinin e jetonin të lumtur.


 a4.19 ose: Ai ishte i vetmi qeveritar i vendit