1 Mbretërve 3

Solomoni martohet me bijën e faraonit

Solomoni lidhi krushqi me faraonin, mbretin e Egjiptit, dhe u martua me bijën e tij. Gruan e solli në qytetin e Davidit, derisa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e vet, tempullin e Zotit dhe muret rrethuese të Jerusalemit. Në atë kohë populli i kushtonte flijimet nëpër faltore në vende të larta, sepse tempulli për nder të emrit të Zotit nuk ishte ndërtuar ende.

Solomoni e donte Zotin dhe jetonte sipas porosive që i kishte lënë i ati, Davidi. Por edhe ai kushtonte flijime e digjte temjan nëpër faltore në vende të larta. Kështu, Solomoni shkoi në Gibeon për të kushtuar flijime, sepse atje ishte faltorja më e rëndësishme në vende të larta. Mbi atë altar Solomoni kushtoi një mijë fli shkrumbimi. Në Gibeon, Zoti iu shfaq Solomonit në ëndërr natën dhe e pyeti: «Kërko ç’të duash e unë do të ta jap». Solomoni i tha: «Ti ke treguar mirësi të madhe me shërbëtorin tënd, Davidin, atin tim, sepse ai jetoi në praninë tënde me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të ndershme ndaj teje. Ti i qëndrove besnik kësaj mirësisë sate të madhe dhe i dhe një bir, që të ulet në fronin e tij, siç ndodh sot. E tani, o Zot, Perëndia im, ti më ke bërë mbret në vend të Davidit, atit tim, megjithëse unë jam veçse një djalosh i ri dhe nuk di si të mbretëroj. Shërbëtori yt gjendet mes popullit tënd të zgjedhur, mes një populli aq të madh, sa nuk mund të numërohet. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të urtë, që të mund ta udhëheqë popullin tënd dhe të dijë të dallojë të mirën nga e keqja, sepse kush mund ta udhëheqë popullin tënd kaq të madh?».

10 Zotit i pëlqeu kërkesa që bëri Solomoni. 11 Atëherë Perëndia i tha: «Meqë kërkove këtë gjë dhe nuk më kërkove as jetë të gjatë, as pasuri e as vdekjen e armiqve të tu, por dije për të udhëhequr, 12 ja, po bëj siç më kërkove dhe po të jap një zemër me aq urti e dije, saqë nuk e ka pasur askush para teje e nuk do ta ketë askush pas teje. 13 Po të jap edhe çka nuk kërkove: pasuri e lavdi. Kështu, gjatë gjithë jetës sate, nuk do të ketë mbret të ngjashëm me ty. 14 E nëse do të ecësh udhëve të mia, duke mbajtur rregullat dhe urdhërimet e mia, siç bëri ati yt, Davidi, do të të jap jetë të gjatë».

15 Atëherë Solomoni u zgjua dhe pa se kishte qenë në ëndërr. Mandej u kthye në Jerusalem, shkoi para arkës së besëlidhjes së Zotit, kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi dhe shtroi një gosti për të gjithë shërbëtorët e tij.

Gjykimi i urtë i Solomonit

16 Një ditë, para mbretit shkuan e u paraqitën dy lavire. 17 Njëra nga gratë tha: «Me leje, imzot. Unë dhe kjo grua jetojmë në të njëjtën shtëpi. Mua më lindi një fëmijë, kur ishte edhe kjo në shtëpi. 18 Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua. Banonim bashkë dhe në shtëpi nuk kishte njeri tjetër, përveç ne të dyjave. 19 Një natë fëmija i saj vdiq, sepse atë e kishte zënë gjumi mbi fëmijën. 20 Ajo u ngrit në mes të natës, ma mori djalin nga gjiri, teksa unë flija, dhe e çoi në shtratin e vet, ndërsa mua më vuri në gji djalin e saj të vdekur. 21 Kur u ngrita në mëngjes për t’i dhënë gji djalit, pashë se kishte vdekur. Pastaj e këqyra me kujdes në dritë dhe pashë se nuk ishte djali që kisha lindur unë». 22 Gruaja tjetër tha: «Jo, fëmija i gjallë është djali im, ndërsa djali yt ka vdekur». Tjetra iu përgjigj: «Jo, djali yt ka vdekur, e djali im jeton». E kështu grindeshin para mbretit.

23 Atëherë mbreti tha: «Njëra thotë: “Djali im është gjallë, ndërsa djali yt ka vdekur”, tjetra i përgjigjet: “Jo, ka vdekur djali yt. Gjallë është djali im”». 24 Pastaj mbreti tha: «Më sillni një shpatë». Kur i sollën shpatën, 25 tha: «Ndajeni foshnjën e gjallë më dysh dhe jepjani gjysmën njërës e gjysmën tjetrës». 26 Por gruas, djali i së cilës ishte gjallë, iu dhimbs shumë fëmija, prandaj i tha mbretit: «Të lutem, imzot, jepjani asaj foshnjën e gjallë. Mos e vrisni». Ndërsa gruaja tjetër tha: «Të mos jetë as i imi, as i yti. Ndajeni!». 27 Atëherë mbreti u përgjigj e tha: «Jepjani gruas së parë fëmijën e mos e vrisni. Ajo është nëna e foshnjës». 28 Mbarë Izraeli mori vesh për gjykimin e mbretit dhe pati nderim për të, sepse panë se mbreti kishte urtinë e Perëndisë për të bërë drejtësi.