1 Mbretërve 17

Thatësira e madhe

Elia, tishbiti, njëri nga banorët e Tishbesë së Gileadit, i tha Ahabit: «Pasha Zotin, Perëndinë e Izraelit, të cilit i shërbej, gjatë këtyre viteve nuk do të bjerë as vesë, as shi, përveçse po të them unë». Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Elisë e i tha: «Largohu prej këndej, shko drejt lindjes dhe fshihu te përroi i Keritit që ndodhet kundruall Jordanit. Do të pish ujë nga përroi, ndërsa ushqimin kam dhënë urdhër të ta sjellin korbat». Elia bëri sipas urdhrit të Zotit dhe shkoi e u vendos pranë përroit të Keritit, kundruall Jordanit. Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes e në mbrëmje, ndërsa ujin e pinte nga përroi. Pas njëfarë kohe, përroi shteroi, se në vend nuk kishte rënë shi.

Elia në Sareptë

Atëherë fjala e Zoti iu drejtua sërish Elisë e i tha: «Ngrihu e shko në Sareptë të Sidonit dhe qëndro atje. Aty i kam dhënë urdhër një gruaje të ve të kujdeset për ushqimin tënd». 10 Elia u ngrit e shkoi në Sareptë. Kur mbërriti te portat e qytetit, pa një vejushë tek mblidhte dru. Elia e thirri e i tha: «Më sill pak ujë në një katruve, që të pi». 11 Kur ajo u nis për të marrë ujin, ai i thirri e i tha: «Të lutem, më sill edhe një copë bukë». 12 Ajo i tha: «Pasha Zotin, Perëndinë tënd, në më ka mbetur më ushqim, përveç një grushti miell në tinar dhe pak vaji në qyp. Ja, tani po mbledh nja dy copa dru dhe pastaj do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për vete dhe për djalin. Do të hamë e pastaj do të vdesim». 13 Elia i tha: «Mos ki frikë, por shko e bëj siç the. Më parë, veçse, më piq mua një kulaç të vogël me miellin që ka mbetur dhe ma sill. Pastaj gatuaj për vete dhe për djalin, 14 sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Mielli në tinar nuk do të mbarojë dhe vaji në qyp nuk do të pakësohet, deri ditën që Zoti do të dërgojë shiun mbi faqen e tokës”». 15 Vejusha shkoi e bëri siç i tha Elia dhe për shumë ditë patën për të ngrënë ai, ajo dhe shtëpia e saj. 16 Tinari i miellit nuk u zbraz dhe qypi i vajit nuk u shter, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes Elisë.

Ngjallja e djalit të vejushës

17 Pas këtyre ndodhive, djali i vejushës u sëmur. Sëmundja qe aq e rëndë, sa nuk merrte më frymë e vdiq. 18 Atëherë vejusha i tha Elisë: «Ç’të kam bërë, o njeri i Perëndisë? Erdhe tek unë, që të më kujtosh paudhësitë e të më marrësh djalin?». 19 Elia i tha: «Ma jep mua djalin». Ia mori djalin nga prehri, e çoi në dhomën e sipërme ku rrinte dhe e vuri mbi shtratin e vet. 20 Atëherë i thirri Zotit: «O Zot, Perëndia im, si ia solle këtë fatkeqësi edhe kësaj vejushe, tek e cila kam bujtur, dhe e le djalin e saj të vdesë?». 21 Pastaj Elia u shtri tri herë mbi djalin dhe i thirri Zotit: «O Zot, Perëndia im, të lutem, ktheja jetën djaloshit». 22 Zoti ia dëgjoi lutjen Elisë dhe djaloshi u ngjall e u kthye në jetë. 23 Atëherë Elia e mori djaloshin, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë, ia dha së ëmës e i tha: «Ja, djali yt jeton». 24 Vejusha i tha Elisë: «Tani e di se ti je njeri i Perëndisë dhe se goja jote thotë me të vërtetë fjalën e Zotit».