1 Mbretërve 16

Atëherë Zoti i foli Jehut, birit të Hananiut, për t’i thënë Bashait këto fjalë: «Unë të ngrita nga pluhuri dhe të bëra sundues të popullit tim, Izraelit. Por ti u solle njëlloj si Jeroboami, e shtyve popullin tim, Izraelin, në mëkat dhe ndeze kështu zemërimin tim për mëkatet e tyre. Prandaj do të të shfaros ty dhe shtëpinë tënde e do të veproj me të si veprova me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. Njerëzit e shtëpisë së Bashait që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin në arë».

Bëmat e tjera të Bashait, veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Bashai u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tircah. Pas tij mbretëroi i biri, Elahu. Zoti kishte folur kundër Bashait e shtëpisë së tij përmes profetit Jeh, birit të Hananiut, për shkak të ligësisë që kishte bërë Bashai në sytë e Zotit, duke ndezur zemërimin e Zotit me veprimet e tij, njëlloj si shtëpia e Jeroboamit, dhe për shkak të shfarosjes së familjes së Jeroboamit.

Mbretërimi i Elahut në Izrael

Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, 10 Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu.

11 Me t’u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. 12 Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë Zoti për të përmes profetit Jeh. 13 Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. 14 Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

Mbretërimi i Zimriut në Izrael

15 Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. 16 Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. 17 Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. 18 Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq 19 për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e Zotit, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. 20 Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit.

Mbretërimi i Omriut në Izrael

21 Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. 22 Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. 23 Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. 24 Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë.

25 Omriu bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. 26 Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit. 27 Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 28 Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi.

Mbretërimi i Ahabit në Izrael

29 Në vitin e tridhjetë e tetë të mbretërimit të Asait në Judë, Ahabi, biri i Omriut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi mbi Izraelin nga Samaria për njëzet e dy vjet. 30 Ahabi, biri i Omriut, bëri çka është keq në sytë e Zotit më shumë se të gjithë paraardhësit e tij. 31 Si të mos mjaftonte sjellja e tij mëkatare, si Jeroboami, biri i Nebatit, Ahabi u martua me Izebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonasve, dhe filloi t’i shërbente Baalit e të përkulej para tij. 32 Ai i bëri një altar Baalit brenda tempullit që i kishte ndërtuar në Samari 33 dhe ndërtoi edhe një shtyllë të Asherasë. Sjellja e tij e ndezi zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit, shumë më tepër se të gjithë paraardhësit e tij. 34 Gjatë sundimit të Ahabit, Hieli nga Beteli rindërtoi Jerikonë. Ai i hodhi themelet mbi Abiramin, djalin e tij të parëlindur, dhe i ngriti portat mbi birin e tij, Segubin, ashtu siç kishte thënë Zoti përmes Jozuehut, birit të Nunit.