1 Mbretërve 15

Mbretërimi i Abijamit në Judë

Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami u bë mbret i Judës dhe mbretëroi në Jerusalem për tre vjet. Nëna e tij ishte e bija e Absalomit dhe quhej Maka. Abijami bëri të gjitha mëkatet që kishte bërë edhe i ati para tij. Zemra e tij nuk ishte e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit, Perëndisë së tij, siç kishte qenë zemra e Davidit, paraardhësit të tij. E megjithatë, për hir të Davidit, Zoti, Perëndia i tij, i dha një pasardhës për të sunduar në Jerusalem, që familja e Davidit të mos shuhej si pishtari e që Jerusalemi të mos binte. Davidi kishte bërë çka ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe gjatë gjithë jetës nuk i ishte shmangur asnjërit prej urdhërimeve të tij, përveç rastit të Urjahut, hititit. Mes Rehoboamit dhe Jeroboamit pati luftë gjatë gjithë jetës. Bëmat e tjera të Abijamit e gjithçka bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Edhe mes Abijamit dhe Jeroboamit pati luftë. Abijami u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Pas tij mbretëroi i biri, Asai.

Mbretërimi i Asait

Në vitin e njëzetë të mbretërimit të Jeroboamit në Izrael, Asai u bë mbret i Judës. 10 Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jerusalem. Nëna e tij ishte bija e Absalomit dhe quhej Maka. 11 Asai bëri çka ishte e drejtë në sytë e Zotit, si Davidi, paraardhësi i tij. 12 Ai i dëboi prej vendit të gjithë lavirët e kulteve dhe i shkatërroi të gjithë idhujt që kishin bërë paraardhësit e tij. 13 Ai hoqi edhe të ëmën, Makën, nga vendi i nënës mbretëreshë, për shkak se ajo kishte bërë një shtyllë të Asherasë së pështirë. Ai e preu copash idhullin dhe e dogji në luginën e Kidronit. 14 Por faltoret në vende të larta nuk u shkatërruan, ndonëse zemra e Asait mbeti gjithmonë e përkushtuar plotësisht ndaj Zotit15 Asai solli në tempullin e Zotit sendet dhe enët e shenjta prej argjendi e prej ari që ishin kushtuar nga i ati e nga vetë ai.

16 Mes Asait dhe Bashait, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre. 17 Bashai, mbreti i Izraelit, u nis për të sulmuar Judën dhe fortifikoi Ramahun, për të penguar lëvizjen e kujtdo që shkonte e vinte nga Asai, mbreti i Judës. 18 Atëherë Asai mori të gjithë argjendin dhe arin, që kishte mbetur në thesarin e tempullit të Zotit dhe në thesarin e pallatit mbretëror, dhe ia dha shërbëtorëve të tij, për t’ia çuar Ben Hadadit, birit të Tabrimonit, të birit të Hezjonit, mbretit të Aramit, i cili banonte në Damask, e për t’i thënë: 19 «Le të bëjmë një besëlidhje mes nesh, ashtu siç kishin bërë im atë dhe yt atë, dhe për këtë të kam dërguar si dhuratë argjend dhe ar. Prishe, pra, besëlidhjen që ke bërë me Bashain, mbretin e Izraelit, që të tërhiqet nga trojet e mia». 20 Ben Hadadi ia dëgjoi fjalën mbretit Asa dhe dërgoi krerët e ushtrisë së tij për të sulmuar qytetet e Izraelit. Ata pushtuan Ijonin, Danin, Abel Bet Makahun, mbarë krahinën e Kineretit dhe gjithë trojet e Neftaliut. 21 Sapo mori vesh lajmin, Bashai e ndali ndërtimin e Ramahut dhe u vendos në Tircah. 22 Atëherë mbreti Asa thirri të gjithë banorët e Judës pa përjashtim, për të marrë nga Ramahu gurët dhe drurët që kishte përdorur Bashai dhe me to fortifikoi Gebën e Benjaminit dhe Micpahun. 23 Të gjitha bëmat e tjera të Asait, të gjitha veprat dhe qytetet e ndërtuara prej tij, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Judës. Në pleqëri Asai vuajti nga një sëmundje e këmbëve. 24 Ai u preh me paraardhësit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Pas tij mbretëroi i biri, Joshafati.

Mbretërimi i Nadabit në Izrael

25 Në vitin e dytë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Nadabi, biri i Jeroboamit, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi për dy vjet në Izrael. 26 Nadabi bëri çka është keq në sytë e Zotit, u soll njëlloj si i ati dhe bëri të njëjtin mëkat si ai, duke shtyrë në mëkat edhe Izraelin.

27 Bashai, biri i Ahijahut, nga fisi i Isaharit, doli kundër Nadabit dhe e goditi për vdekje në qytetin filistin të Gibetonit, në kohën kur Nadabi e mbarë Izraeli kishin rrethuar qytetin. 28 Bashai e vrau Nadabin në vitin e tretë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, dhe u bë mbret i Izraelit në vend të Nadabit. 29 Me t’u bërë mbret, Bashai e shfarosi të gjithë shtëpinë e Jeroboamit dhe nuk la gjallë asnjë prej tyre. Bashai e asgjësoi shtëpinë e Jeroboamit sipas fjalës që kishte thënë Zoti përmes shërbëtorit të tij, Ahijahut, shilonitit, 30 për shkak se Jeroboami kishte mëkatuar dhe kishte shtyrë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë së Izraelit.

31 Bëmat e tjera të Nadabit e gjithçka që ai bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. 32 Mes Asait dhe Bashait, mbretit të Izraelit, pati luftë gjatë gjithë jetës së tyre.

Mbretërimi i Bashait në Izrael

33 Në vitin e tretë të mbretërimit të Asait në Judë, Bashai, biri i Ahijahut, u bë mbret i gjithë Izraelit. Ai mbretëroi në Tircah për njëzet e katër vjet. 34 Bashai bëri çka është keq në sytë e Zotit dhe u soll njëlloj si Jeroboami e bëri të njëjtin mëkat si ai, duke shtyrë në mëkat edhe Izraelin.