1 Mbretërve 12

Kuvendi i Shekemit

Rehoboami shkoi në Shekem, ku kishte ardhur mbarë Izraeli për ta shpallur mbret. Jeroboami, biri i Nebatit, ishte ende në Egjipt, ku kishte marrë arratinë për shkak të mbretit Solomon. Kur e mori vesh këtë, Jeroboami qëndroi në Egjipt, por kur i çuan fjalë dhe e thirrën, u kthye.

Atëherë e gjithë bashkësia e Izraelit foli me Rehoboamin e i thanë: «Yt atë na ka vënë zgjedhë të rëndë. Nëse ti na e lehtëson tani disi zgjedhën e punës së rëndë që na ngarkoi yt atë, ne do të të shërbejmë». Rehoboami u tha: «Shkoni e kthehuni tek unë pas tri ditësh». Dhe populli u largua.

Kështu, mbreti Rehoboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Solomonit, kur ishte gjallë, e i pyeti: «Ç’këshillë më jepni, që t’i përgjigjem popullit?». Ata i thanë: «Nëse ti sot bëhesh shërbëtor i këtij populli e i shërben dhe nëse u thua fjalë të mira, ata do të jenë gjithmonë shërbëtorët e tu». Rehoboami nuk e pranoi këshillën e pleqve, por u këshillua me të rinjtë me të cilët ishte rritur e që i rrinin pranë. Ai i pyeti: «Ç’këshillë më jepni, që t’i përgjigjem popullit? Ata më kanë kërkuar t’ua lehtësoj zgjedhën që u ka vënë ati im». 10 Të rinjtë, që ishin rritur me të, iu përgjigjën: «Popullit që foli me ty e që të kërkoi t’ua lehtësosh zgjedhën që u vuri yt atë, thuaji kështu: “Gishti im i vogël është më i trashë se ijët e atit tim. 11 Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, ndërsa unë do t’ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t’ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri”».

12 Pas tri ditësh, Jeroboami e mbarë bashkësia e Izraelit shkuan te Rehoboami, ashtu siç u kishte thënë mbreti, që të ktheheshin tek ai pas tri ditësh. 13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit dhe e përbuzi këshillën që i kishin dhënë pleqtë. 14 Ai u foli sipas këshillës që i kishin dhënë të rinjtë e u tha: «Im atë ju vuri një zgjedhë të rëndë, por unë do t’ju vë një zgjedhë edhe më të rëndë. Im atë ju rrahu me fshikuj, por unë do t’ju rrah me frushkuj me gjemba hekuri». 15 Mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse kështu kishte dashur Zoti, që të shkonte në vend fjala që Zoti i tha Jeroboamit, birit të Nebatit, përmes Ahijahut, shilonitit.

Ndarja e mbretërisë

16 Kur mbarë Izraeli pa se mbreti nuk i kishte dëgjuar, ata i dërguan fjalë e i thanë: «Ç’lidhje kemi ne me Davidin e ç’pjesë kemi me të birin e Jeseut? Nëpër tendat tuaja, o izraelitë! Ndërsa ti kujdesu për shtëpinë tënde tani, o David!». Kështu, izraelitët shkuan nëpër shtëpitë e tyre. 17 Rehoboami mbretëronte mbi izraelitët që jetonin në qytetet e Judës. 18 Mbreti Rehoboam dërgoi tek izraelitët e tjerë Adoramin, mbikëqyrësin e punës së detyruar, por ata e vranë me gurë e ai vdiq. Atëherë mbreti Rehoboam hipi me ngut në një karrocë dhe ia mbathi për në Jerusalem. 19 Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit e ashtu është deri sot. 20 Kur izraelitët e tjerë morën vesh se ishte kthyer Jeroboami, dërguan për ta thirrur dhe e gjithë bashkësia e shpalli mbret të mbarë Izraelit. Vetëm fisi i Judës i qëndroi besnik shtëpisë së Davidit.

21 Kur mbërriti në Jerusalem, Rehoboami mblodhi njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur nga fisi i Judës dhe nga fisi i Benjaminit, për të sulmuar mbretërinë e Izraelit dhe për t’ia kthyer mbretërinë Rehoboamit, birit të Solomonit. 22 Atëherë fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, e i tha: 23 «Thuaji Rehoboamit, birit të Solomonit dhe mbretit të Judës, të gjithë fisit të Judës dhe të Benjaminit, si edhe mbarë popullit, 24 se kështu thotë Zoti: “Mos dilni për të luftuar kundër vëllezërve tuaj, izraelitëve. Kthehuni nëpër shtëpitë tuaja, sepse kjo gjë vjen nga unë”». Ata e dëgjuan fjalën e Zotit dhe u kthyen pas, siç kishte thënë Zoti.

Jeroboami bie në idhujtari

25 Jeroboami fortifikoi Shekemin në malësinë e Efraimit dhe vendosi të banojë atje. Mandej doli prej andej dhe fortifikoi edhe Penuelin. 26 Jeroboami mendoi me vete: «Siç janë gjërat tani, mbretëria ka për t’iu kthyer shtëpisë së Davidit. 27 Nëse ky popull shkon në Jerusalem për të kushtuar fli në tempullin e Zotit, zemra e tyre do të kthehet te zotëria i tyre, Rehoboami, mbreti i Judës. Mua kanë për të më vrarë e vetë kanë për t’u kthyer te Rehoboami, mbreti i Judës». 28 Pasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari e i tha popullit: «Mos shkoni më në Jerusalem. Ja ku janë perënditë e tu, o Izrael, perënditë që të nxorën nga toka e Egjiptit». 29 Njërin e vuri në Betel e tjetrin në Dan. 30 Kjo e shtyu popullin të mëkatojë, sepse ata shkuan deri në Dan, për të rënë përmbys para një viçi. 31 Jeroboami ndërtoi edhe një tempull në vend të lartë dhe caktoi priftërinj, njerëz nga mbarë populli, që nuk ishin pasardhës të Levit. 32 Ai caktoi edhe një të kremte në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, që përkonte me festën që kremtohej në Judë, dhe vetë ai kushtoi fli mbi altar. Kështu veproi Jeroboami në Betel dhe u kushtoi fli viçave që kishte bërë, si edhe caktoi priftërinj për faltoret që kishte ndërtuar në vende të larta. 33 Ai ofroi kusht te altari që kishte bërë në Betel, në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, ditë që e kishte ndarë me mendje të vet. Ai e caktoi si të kremte për izraelitët dhe kushtoi temjan mbi altar.