1 Mbretërve 10

Mbretëresha e Shebës

Mbretëresha e Shebës kishte dëgjuar për emrin që kishte fituar Solomoni në saje të emrit të Zotit dhe erdhi për ta vënë në provë me pyetje të vështira. Ajo mbërriti në Jerusalem me një shpurë të madhe, me deve të ngarkuara me erëra të mira, me shumë ar e me gurë të çmuar dhe shkoi te Solomoni e bisedoi me të për gjithçka që kishte në zemër. Solomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve dhe asnjë nga pyetjet nuk ishte e panjohur për mbretin, që të mos i jepte përgjigje. Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë urtinë e Solomonit, pallatin mbretëror, që ai kishte ndërtuar, gjellët që shtroheshin në tryezën e tij, banesat e zyrtarëve të tij, fisnikërinë e shërbëtorëve të tij, veshjet e kupëmbajtësve të tij dhe flitë e shkrumbimit, që ai kushtonte në tempullin e Zotit, mbeti pa fjalë.

Atëherë ajo i tha mbretit: «Paskan qenë të vërteta fjalët që kisha dëgjuar në vendin tim për ty, për veprat e tua dhe për urtinë tënde. Nuk u besoja fjalëve derisa erdha dhe e pashë me sytë e mi. Po shoh se nuk më paskan thënë as gjysmën. Urtia dhe pasuria jote është më e madhe nga ç’kisha dëgjuar unë. Lum njerëzit e tu e lum shërbëtorët e tu që gjenden përherë pranë teje e që dëgjojnë urtinë tënde. Bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që të ka për zemër e të ka vënë në fronin e Izraelit. Zoti e do Izraelin në amshim, prandaj të caktoi mbret, që të gjykosh drejt e të bësh drejtësi». 10 Ajo i dhuroi mbretit tre tonë e gjysmë ar, erëra të mira me shumicë dhe gurë të çmuar. Në Izrael nuk solli më njeri kurrë aq shumë erëra të mira sa i dha mbretëresha e Shebës mbretit Solomon.

11 Anijet e Hiramit, që kishin sjellë ar nga Ofiri, sollën prej andej edhe dru rrëshinorë me shumicë dhe gurë të çmuar. 12 Me drurët rrëshinorë mbreti bëri trarë mbështetës për tempullin e Zotit dhe për pallatin mbretëror, qeste dhe harpa për këngëtarët. Drurë të tillë rrëshinorë nuk janë sjellë e nuk janë parë më në Izrael deri sot e kësaj dite.

13 Mbreti Solomon, përveç dhuratave mbretërore, i dha mbretëreshës së Shebës gjithçka që ajo kishte dëshiruar e kërkuar. Pastaj ajo bashkë me shërbëtorët u nis për t’u kthyer në vendin e saj.

Pasuria e Solomonit

14 Pesha e arit, që i vinte çdo vit Solomonit, ishte njëzet tonë, 15 përveç arit që mblidhej nga tagrat për hyrjen e mallrave në vend, nga tregtia, nga të gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit. 16 Mbreti Solomon farkëtoi dyqind shqyte prej ari me nga gjashtë kilogramë ar secila 17 dhe treqind shqyte të tjera, po prej ari të rrahur, me nga një kilogram e gjysmë ar secila. Mbreti i vuri shqytet në pallatin e quajtur «Pylli i Libanit». 18 Mbreti Solomon bëri edhe një fron të madh fildishi dhe e veshi me ar të pastër. 19 Froni kishte gjashtë shkallë dhe shpinëzën e kishte me majë të rrumbullakët. Në të dyja anët e fronit kishte mbështetëse për krahët dhe në anë të mbështetëseve gjendej nga një luan i gdhendur. 20 Në gjashtë shkallët e fronit kishte dymbëdhjetë luanë të gdhendur. Një fron i tillë nuk ishte ndërtuar në asnjë mbretëri. 21 Të gjitha kupat, me të cilat pinte mbreti Solomon, ishin prej ari. Edhe enët e pallatit «Pylli i Libanit» ishin prej ari të pastër. Asgjë nuk ishte prej argjendi. Në ditët e mbretit Solomon argjendi nuk kishte asnjë vlerë. 22 Mbreti Solomon kishte në det anijet e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit dhe një herë në tre vjet ato ktheheshin e sillnin ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

23 Kështu, mbreti Solomon u bë mbreti më i pasur e më i urtë ndër gjithë mbretërit e tokës. 24 Mbarë bota dëshironte ta shihte Solomonin, për të dëgjuar urtinë që i kishte vënë në zemër Perëndia. 25 Të gjithë i sillnin dhurata, sende argjendi e ari, veshje, armë, erëra të mira, kuaj e mushka dhe kjo ndodhte çdo vit.

26 Solomoni mblodhi edhe karroca e kalorës. Ai kishte një mijë e katërqind karroca lufte dhe dymbëdhjetë mijë kalorës. Disa kalorës i mbajti pranë vetes në Jerusalem, ndërsa të tjerët i shpërndau nëpër qytetet ku rrinin karrocat. 27 Mbreti ia kishte dalë ta bënte në Jerusalem argjendin të begatë sa gurin. Druri i cedrit, po ashtu, gjendej me shumicë sa fiku që rritej në Shefelah. 28 Solomonit ia sillnin kuajt nga Egjipti dhe Keveja. Vetë tregtarët e mbretit i blinin kuajt në Keve. 29 Karrocat e luftës që vinin nga Egjipti kushtonin gjashtëqind sikla argjendi secila, ndërsa një kalë njëqind e pesëdhjetë. Ata u shisnin karroca e kuaj edhe të gjithë mbretërve të hititëve e mbretërve të Aramit.