1 Kronikave 28

Udhëzimet për tempullin

Davidi mblodhi në Jerusalem të gjithë prijësit e Izraelit, prijësit e fiseve, prijësit e rendeve në shërbim të mbretit, kryemijësit e kryeqindësit, kujdestarët e të gjitha bagëtive dhe pasurive të mbretit e të bijve të tij, bashkë me oborrtarët, trimat dhe të gjithë ushtarët e fuqishëm. Davidi u ngrit në këmbë e tha: «Dëgjomëni, o vëllezërit e mi e populli im. E kisha për zemër të ndërtoja një shtëpi ku të prehet arka e besëlidhjes së Zotit dhe shtroja e këmbëve të Perëndisë tonë, prandaj i bëra përgatitjet për ndërtim. Por Perëndia më tha: “Nuk do të ndërtosh shtëpi për emrin tim, sepse je luftëtar e ke derdhur gjak”. Zoti, Perëndia i Izraelit, më zgjodhi mua nga mbarë shtëpia e tim eti, për të më bërë mbret mbi Izraelin përgjithmonë, sepse ai zgjodhi Judën si prijës dhe, në shtëpinë e Judës, shtëpinë e atit tim. Ndër bijtë e atit tim, i pëlqeu të më bënte mua mbret mbi mbarë Izraelin. Prej të gjithë bijve të mi, sepse Zoti më ka dhënë shumë bij, ai zgjodhi Solomonin, birin tim, që të ulet në fronin e mbretërisë së Zotit në Izrael. Ai më tha: “Solomoni, biri yt, do të ndërtojë shtëpinë time dhe tremet e mia, sepse unë e zgjodha për bir e unë do të jem ati i tij. Do ta caktoj mbretërinë e tij deri në amshim, nëse do të jetë i fortë në zbatimin e urdhërimeve dhe të vendimeve të mia, si sot”. Tani, në sytë e mbarë Izraelit, bashkësisë së Zotit, dhe para Perëndisë që po na dëgjon, zbatojini e hetojini të gjitha urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, që të zotëroni këtë tokë të mirë e t’ua lini trashëgim bijve tuaj pas jush në amshim».

Detyrat e Solomonit

«Ndërsa ti, Solomon, biri im, njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër e me gjithë dëshirën e shpirtit, sepse Zoti i heton të gjitha zemrat dhe i kupton të gjitha prirjet e mendimet. Nëse e kërkon, bëhet i gjindshëm, por nëse e shpërfill, do të të flakë tej përgjithmonë. 10 Shiko, tani, se Zoti të zgjodhi të ndërtosh një shtëpi për shenjtëroren. Ji i fortë e kryeje!».

11 Pastaj Davidi i dha Solomonit, të birit, gjedhen e portikut, të tempullit, të qilarëve, të dhomave të epërme, të dhomave të brendshme dhe të sallës së pajtimores, 12 gjedhen e gjithçkaje që kishte në mendje për tremet e shtëpisë së Zotit e për të gjitha dhomat anësore, për qilarët e shtëpisë së Perëndisë e për qilarët e dhuratave të shenjta, 13 për rendet e priftërinjve e të levitëve dhe të gjithë veprimtarisë së shërbesës në shtëpinë e Zotit, si edhe për të gjitha enët e shërbesës në shtëpinë e Zotit14 sasinë e arit për të gjitha enët e arta për secilën shërbesë, sasinë e argjendit për enët e secilës shërbesë, 15 sasinë e arit për shandanët e llambat e tyre, sipas përdorimit të secilit shandan e të llambave të tyre, si edhe sasinë e argjendit për shandanët, sipas përdorimit të secilit shandan në shërbesë, 16 sasinë e arit për secilën tryezë të bukës së paraqitjes, argjendin për tryezat e argjendta, 17 pirunët, kupat, brokat prej ari të kulluar, sasinë e arit për kupat, për secilën kupë të artë, dhe sasinë e argjendit për secilën kupë, 18 sasinë e arit të kulluar për altarin e temjanit dhe gjedhen për karrocën e artë të kerubëve me krahët e shpalosur që mbulonin arkën e besëlidhjes së Zotit19 Gjithçka ishte shkruar për mua me dorën e Zotit dhe sqaronte zbatimet e asaj trajte.

20 Pastaj Davidi i tha Solomonit, të birit: «Bëhu i fortë e guximtar. Puno pa u trembur e pa frikë, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, është me ty. Nuk do të të braktisë e nuk do të të lërë vetëm derisa ta kryesh tërë punën për shtëpinë e Zotit21 Ja rendet e priftërinjve dhe të levitëve për të gjithë shërbesën e shtëpisë së Perëndisë. Për çdo punim do të kesh me vete zejtarë plot vullnet. Prijësit e mbarë populli janë nën urdhrat e tu».