1 Kronikave 22

Përgatitjet për tempullin

Davidi tha: «Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari për flitë e shkrumbimit të Izraelit».

Davidi urdhëroi të mblidheshin të huajt që gjendeshin në dheun e Izraelit dhe i caktoi të latonin e të gdhendnin gurë për ndërtimin e tempullit të Perëndisë. Ai përgatiti edhe një sasi të madhe hekuri për gozhdët e flegrave të portave dhe për shulat, si edhe një sasi të pallogaritshme bronzi. Edhe druri i cedrit ishte i pallogaritshëm, sepse sidonasit e tirasit i kishin sjellë shumë dru cedri. Davidi thoshte: «Im bir, Solomoni, është i ri e pa përvojë, mirëpo ndërtesa që duhet ndërtuar për Zotin duhet të jetë madhështore e duhet të njihet e të nderohet në të gjitha vendet, prandaj do t’i bëj vetë përgatitjet për të». Davidi përgatiti shumë gjëra para se të vdiste.

Pastaj thirri Solomonin, birin e vet, dhe e urdhëroi t’i ndërtonte një tempull Zotit, Perëndisë së Izraelit. Davidi i tha Solomonit: «Biri im, e kam pasur për zemër të ndërtoja një tempull për emrin e Zotit, Perëndisë tim, por m’u drejtua kjo fjalë e Zotit: “Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë luftra të mëdha, prandaj nuk do të ndërtosh tempull për emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje. Ja, do të të lindë një bir e ai do të jetë njeri i paqes. Unë do ta lë të qetë nga të gjithë armiqtë që e rrethojnë, prandaj do ta ketë emrin Solomon. Në ditët e tij do t’i jap paqe e qetësi Izraelit. 10 Ai do të ndërtojë një tempull për emrin tim. Ai do të jetë për mua bir e unë do të jem për të atë. Do ta vendos fronin e mbretërisë së tij përgjithmonë mbi Izraelin”. 11 Tani, biri im, Zoti qoftë me ty dhe ti arrifsh t’ia ndërtosh tempullin Zotit, Perëndisë tënd, sipas fjalës që ai ka thënë për ty. 12 Prandaj Zoti të dhëntë maturinë e urtinë, të vendostë mbi Izraelin, për të zbatuar ligjin e Zotit, Perëndisë tënd. 13 Atëherë do t’ia dalësh, nëse do t’i mbash rregullat e vendimet, që Zoti i urdhëroi Moisiut për Izraelin. Bëhu i fortë e i guximshëm dhe mos ki frikë e as mos u tremb. 14 Ja, me mund unë bëra gati për tempullin e Zotit mbi tre mijë tonë ar, mbi tridhjetë mijë tonë argjend, si dhe bronz e hekur në sasi të pallogaritshme. Kam përgatitur edhe dru e gurë, por ti do të mbledhësh edhe më shumë. 15 Ke me vete shumë punëtorë, latues, gurgdhendës, drugdhendës e zejtarë për çdo punim. 16 Ari, argjendi, bronzi e hekuri janë të pallogaritshëm. Përvishju punës e Zoti qoftë me ty!».

17 Davidi i urdhëroi të gjithë prijësit e Izraelit ta ndihmonin Solomonin, birin e tij: 18 «A nuk është me ju Zoti, Perëndia juaj? A nuk ju ka dhënë siguri nga të gjitha anët? Ai m’i shtiu në dorë banorët e vendit dhe vendi iu nënshtrua Zotit e popullit të tij. 19 Tani jepuni me zemër e me shpirt në kërkim të Zotit, Perëndisë tuaj. Ngrihuni e ndërtoni shenjtëroren e Zotit Perëndi, për ta sjellë arkën e besëlidhjes së Zotit dhe enët e Zotit në tempullin e ndërtuar për emrin e Zotit».