1 Kronikave 21

Regjistrimi i popullsisë

Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin t’i numëronte izraelitët. Davidi i tha Joabit e prijësve të popullit: «Shkoni e numërojini izraelitët nga Bersheba në Dan dhe ma sillni numrin, që ta di». Por Joabi i tha: «Zoti e shumoftë popullin e vet njëqindfish, por a nuk janë ata të gjithë shërbëtorët e timzoti, o imzot mbret? Pse po e kërkon këtë, imzot? Pse duhet të bjerë ky faj mbi Izraelin?». Por fjala e mbretit e detyroi Joabin, prandaj ai shkoi gjithandej në Izrael e u kthye në Jerusalem. Joabi i dorëzoi Davidit numrin e shënuar dhe doli se shpatën mund ta përdornin gjithsej një milion e njëqind mijë burra në Izrael dhe katërqind e shtatëdhjetë mijë burra në Judë. Ndër ta nuk kishte numëruar as levitët, as fisin e Benjaminit, sepse urdhri i mbretit i ishte dukur i neveritshëm Joabit.

Perëndisë nuk i pëlqeu kjo gjë, prandaj e ndëshkoi Izraelin. Davidi i tha Perëndisë: «Mëkatova shumë me këtë që bëra. Por, po të përgjërohem, liroje nga faji shërbëtorin tënd, sepse bëra marrëzi të madhe». Atëherë Zoti i tha Gadit, vegimtarit të Davidit: 10 «Shko e thuaji Davidit se kështu thotë Zoti: po të parashtroj tri gjëra. Zgjidh njërën dhe unë do ta bëj për ty». 11 Gadi erdhi te Davidi e i tha se kështu thotë Zoti: «Zgjidh për vete, 12 ose tri vjet zi buke, ose tre muaj arrati nga armiqtë e tu, shpata e të cilëve do të jetë më e fortë, ose tri ditë nën shpatën e Zotit, me murtajën, që merr dhenë, dhe me engjëllin e Zotit që shkreton Izraelin skaj më skaj. Prandaj, shihe vetë çfarë duhet t’i përgjigjem atij që më dërgoi». 13 Davidi i tha Gadit: «Jam shumë ngushtë. Le të bie në dorën e Zotit, sepse mëshira e tij është e madhe, por mos u rënça në dorë njerëzve!».

14 Atëherë Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe ranë shtatëdhjetë mijë vetë. 15 Perëndia dërgoi engjëllin në Jerusalem për ta shkatërruar. Por, ndërsa po e shkatërronte, Zoti pa dhe hoqi dorë nga e keqja, prandaj i tha engjëllit shkatërrimtar: «Mjaft tani! Ndale dorën!». Atëherë engjëlli u ndal te lëmi i Ornan Jebusitit. 16 Davidi çoi sytë e pa engjëllin e Zotit tek qëndronte mes tokës e qiellit, me shpatën zhveshur në dorë në drejtim të Jerusalemit. Pastaj Davidi e pleqtë u veshën me grathore e ranë përmbys. 17 Davidi i tha Perëndisë: «A nuk e dhashë unë urdhrin për të numëruar popullin? Unë mëkatova e veprova me ligësi, por, këto dele çfarë kanë bërë? O Zot, Perëndia im, të lutem, le të më godasë dora jote mua dhe shtëpinë e tim eti, por të mos godasë popullin tënd».

Kushtimi i altarit

18 Engjëlli i Zotit i tha Gadit t’i thoshte Davidit që të ngjitej e t’i ngrinte Zotit një altar në lëmin e Ornan Jebusitit. 19 Davidi shkoi, sipas fjalës që kishte thënë Gadi në emër të Zotit20 Ornani u kthye e pa engjëllin. Katër bijtë e tij, që ishin me të, u fshehën. Ornani po shinte drithin, 21 kur iu afrua Davidi. Porsa e pa, e vuri re se ishte Davidi, doli nga lëmi dhe u përkul para Davidit me fytyrë përdhe. 22 Davidi i tha Ornanit: «Ma jep mua vendin e lëmit, që t’i ndërtoj Zotit një altar. Ma jep me çmim të plotë, që të largohet lëngata nga populli». 23 Ornani i tha Davidit: «Merre dhe le të bëjë imzot mbreti çfarë të dojë. Ja, po të jap edhe mëzetërit për flitë e shkrumbimit, edhe sharrën për dru, edhe drithin për flinë e drithit. Po të jap gjithçka». 24 Por mbreti David i tha Ornanit: «Jo, dua ta blej me çmim të plotë. Nuk do t’i kushtoj Zotit diçka që të përket ty e të kushtoj një fli shkrumbimi falas». 25 Atëherë Davidi i dha Ornanit gjashtëqind sikla ar për atë vend. 26 Pastaj Davidi i ndërtoi Zotit një altar në atë vend dhe kushtoi fli shkrumbimi e paqtimi. Ai e thirri Zotin e ai iu përgjigj me zjarrin që ra prej qiellit mbi altarin e flisë së shkrumbimit. 27 Zoti e urdhëroi engjëllin dhe ai e ktheu shpatën në mill.

28 Në atë kohë, pasi Davidi pa se Zoti e dëgjoi te lëmi i Ornan Jebusitit, po aty kushtoi fli. 29 Tenda e Zotit, që Moisiu kishte ngritur në shkretëtirë, dhe altari i flive të shkrumbimit ishin në atë kohë në lartësinë e Gibeonit, 30 por Davidi nuk mundi të shkonte atje për t’u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte i tmerruar nga shpata e engjëllit të Zotit.