1 Kronikave 18

Davidi fiton mbi armiqtë

Pas kësaj Davidi i mundi filistinët, i nënshtroi dhe mori Gatin me fshatra. Pastaj mundi Moabin dhe moabitët u bënë skllevër të Davidit, të cilit i jepnin tagrin. Davidi mundi edhe Hadadezerin, mbretin e Cobah Hamatit, kur ai po shkonte për të ngritur një përmendore për vete pranë lumit Eufrat dhe i mori një mijë karroca, shtatë mijë kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Davidi u theu kërcinjtë të gjithë kuajve, përveç atyre që iu deshën për njëqind karroca. Arameasit e Damaskut i erdhën në ndihmë Hadadezerit, mbretit të Cobahut, por Davidi vrau njëzet e dy mijë arameas. Pastaj Davidi vendosi një njësi në Aram të Damaskut. Arameasit iu nënshtruan Davidit dhe i jepnin tagrin. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte. Davidi mori parzmoret e arta të shërbëtorëve të Hadadezerit dhe i çoi në Jerusalem. Edhe nga Tibhati e nga Kuni, qytete të Hadadezerit, mori një sasi të madhe bronzi, me të cilin Solomoni bëri detin prej bronzi, shtyllat dhe enët e bronzta.

Kur Toiu, mbreti i Hamatit, dëgjoi se Davidi e kishte mundur tërë ushtrinë e Hadadezerit, mbretit të Cobahut, 10 dërgoi te Davidi birin e tij, Hadoramin, për ta përshëndetur e për ta bekuar, sepse i kishte shpallur luftë Hadadezerit dhe e kishte mundur. Hadadezeri ishte në luftë me Toiun. Ai i dërgoi edhe enë ari, argjendi e bronzi. 11 Mbreti David ia kushtoi Zotit edhe ato, bashkë me argjendin e arin që kishte marrë prej të gjitha kombeve, prej edomitëve, moabitëve, amonitëve, filistinëve e amalekitëve.

12 Abishai, biri i Cerujahut, shpartalloi tetëmbëdhjetë mijë edomitë në luginën e Kripës. 13 Ai vendosi njësi në Edom dhe të gjithë edomitët iu nënshtruan Davidit. Zoti e shpëtonte Davidin ngado që shkonte.

Zyrtarët e Davidit

14 Davidi mbretëroi mbi mbarë Izraelin dhe veproi drejt e me drejtësi me mbarë popullin e vet. 15 Joabi, biri i Cerujahut, ishte në krye të ushtrisë. Joshafati, biri i Ahiludit, ishte shkresari. 16 Cadoku, biri i Ahitubit, e Abimeleku, biri i Abiatarit, ishin priftërinj, ndërsa Shavshai ishte shkruesi. 17 Benajahu, biri i Jehojadait, ishte kreu i keretitëve e peletitëve, ndërsa bijtë e Davidit ishin të parët përkrah mbretit.