1 Kronikave 17

Besëlidhja me Davidin

Kur Davidi u vendos në shtëpinë e tij, i tha profetit Natan: «Ja, unë banoj në një shtëpi prej cedri, ndërsa arka e besëlidhjes së Zotit gjendet nën pëlhura». Natani iu përgjigj Davidit: «Bëj ç’të kesh në zemër, se Perëndia është me ty».

Po atë natë Natanit iu drejtua fjala e Perëndisë e i tha: «Shko e thuaji Davidit, shërbëtorit tim, kështu thotë Zoti: “Nuk do të ma ndërtosh ti shtëpinë ku do të banoj. Unë nuk kam banuar në një shtëpi që kur e ngrita Izraelin e deri në këtë ditë. Kam ndenjur nga një tendë në tjetrën, nga një banesë në tjetrën. Gjatë gjithë endjeve të mia me mbarë Izraelin, a mos i kam thënë ndonjë fjalë ndonjërit prej gjykatësve të Izraelit, të cilët i kisha urdhëruar të kullotnin popullin tim, duke i thënë: përse nuk më keni ndërtuar një shtëpi prej cedri? Mirëpo tani kështu do t’i thuash Davidit, shërbëtorit tim: kështu thotë Zoti i ushtrive: unë të mora nga kullota, kur shkoje pas grigjës, që të bëheshe prijësi i popullit tim, Izraelit. Kam qenë me ty kudo ke shkuar dhe i kam vrarë të gjithë armiqtë e tu para teje. Do të të bëj me emër, siç janë me emër të mëdhenjtë e tokës. Do të caktoj një vend për popullin tim, Izraelin, ku do ta ngul të banojë pa u tronditur më. Keqbërësit nuk do ta dëmtojnë më, si dikur, 10 kur caktova gjykatës mbi popullin tim, Izraelin. Do t’i nënshtroj të gjithë armiqtë e tu. Dhe po të kumtoj se Zoti do të të ndërtojë ty një shtëpi. 11 Kur koha jote të jetë sosur e duhet të prehesh me etërit e tu, do të ngre pasardhësin tënd pas teje, njërin prej bijve të tu, e do ta bëj të qëndrueshme mbretërinë e tij. 12 Ai do të më ndërtojë një shtëpi, ndërsa unë do ta bëj të qëndrueshëm përgjithmonë fronin e tij. 13 Unë do të jem për të atë e ai do të jetë për mua bir. Nuk do t’ia mohoj dashurinë time, siç ia mohova paraardhësit tënd. 14 Do ta vë në shtëpinë time e në mbretërinë time përgjithmonë dhe froni i tij do të mbetet në amshim”». 15 Natani ia tregoi Davidit të gjitha këto fjalë e të gjithë këtë vegim.

Lutja e Davidit

16 Atëherë mbreti David hyri brenda, u ul para Zotit e tha: «Kush jam unë, o Zot Perëndi, dhe çfarë është shtëpia ime, që më solle deri këtu? 17 Por kjo ishte gjë e vogël në sytë e tu, o Perëndi. Ti fole për shtëpinë e shërbëtorit tënd për të ardhmen e largët. Ti më sheh mua siç sheh njerëzit e rangjeve të larta, o Zot Perëndi. 18 Çfarë mund të bëjë më shumë për ty Davidi, për nderin që i ke bërë shërbëtorit tënd? Ti e njeh mirë shërbëtorin tënd. 19 Zot, ti i bëre të gjitha këto vepra të mëdha për hir të shërbëtorit tënd e sipas zemrës sate, për të shfaqur të gjitha madhështitë. 20 Nuk ka si ti, o Zot, dhe nuk ka Perëndi përveç teje, me sa na kanë dëgjuar veshët. 21 Kush është si populli yt, Izraeli, kombi i vetëm në tokë, që Perëndia shkoi për ta shpenguar për vete si popull? Ti e bëre të njohur emrin tënd me gjërat e mëdha e të mahnitshme, sepse dëbove kombet para popullit tënd, të cilin e shpengove nga Egjipti. 22 Ti e more popullin tënd Izraelin si popullin tënd përgjithmonë dhe ti, o Zot, u bëre Perëndia i tyre. 23 Tani, o Zot, fjala që fole për shërbëtorin tënd e për shtëpinë e tij qëndroftë përgjithmonë dhe vepro siç fole. 24 Emri yt qëndroftë e u madhëroftë përgjithmonë kështu: “Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, është Perëndi për Izraelin” dhe shtëpia e Davidit, shërbëtorit tënd, do të jetë e qëndrueshme para teje, 25 sepse ti, Perëndia im, i dëftove shërbëtorit tënd se do t’i ndërtosh një shtëpi, prandaj shërbëtori yt guxoi të lutej para teje. 26 Ti, o Zot, je Perëndi dhe ti ia premtove këtë të mirë shërbëtorit tënd. 27 Tani, vendose ta bekosh shtëpinë e shërbëtorit tënd, që të qëndrojë e përhershme para teje, sepse ti, o Zot, e bekove, prandaj është e bekuar përgjithmonë».