1 Kronikave 13

Zhvendosja e Arkës

Davidi u këshillua me prijësit e të njëmijëve, të njëqindëve e me secilin udhëheqës. Atëherë Davidi i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: «Nëse ju duket gjë e mirë e nëse vjen prej Zotit, Perëndisë tonë, le të shpërndajmë e të dërgojmë lajmëtarë te vëllezërit tanë të mbetur në të gjitha trojet e Izraelit, si edhe te priftërinjtë e te levitët, që gjenden në qytetet me kullota, që të mblidhen te ne. Le ta kthejmë te ne arkën e Perëndisë tonë, sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit». Mbarë bashkësia pranoi të veprohej ashtu, sepse mbarë popullit iu duk e drejtë.

Uzai dhe arka

Davidi mblodhi mbarë Izraelin, nga Nili i Egjiptit deri në Lebo Hamat, për ta sjellë arkën e Perëndisë nga Kirjat Jearimi. Davidi e mbarë Izraeli u ngjitën në Baalah, domethënë në Kirjat Jearim të Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë që quhet Zoti ulur mbi kerubë. Ata e mbartën arkën e Perëndisë në një karrocë të re nga shtëpia e Abinadabit. Karrocën e ngisnin Uzai e Ahioi. Davidi e mbarë Izraeli ngazëlleheshin fort para Perëndisë, me këngë, qeste, harpa, dajre, cimbale e bori.

Kur arritën te lëmi i Kidonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën, sepse qetë gati u rrëzuan. 10 Mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Perëndisë dhe e goditi, sepse kishte vënë dorë në arkë. Prandaj vdiq në vend para Perëndisë. 11 Davidi u zemërua pse Zoti e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah. Ai vend quhet Perec Uzah edhe sot e kësaj dite. 12 Atë ditë Davidi e pati frikë Perëndinë e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Perëndisë?». 13 Prandaj nuk e mori me vete arkën në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. 14 Arka e Perëndisë ndenji tre muaj me shtëpinë e Obed Edomit, në shtëpinë e tij. Zoti e bekoi shtëpinë e Obed Edomit me gjithçka kishte.