1 Kronikave 12

Bashkëpunëtorët e Davidit

Këta janë burrat që erdhën te Davidi në Ciklag, kur ai ishte ende duke ikur nga Sauli, biri i Kishit. Këta ishin trimat, që e ndihmuan në luftë, harkëtarë, shigjetarë e gurëgjuajtës me të dyja duart. Prej vëllezërve të Saulit, nga Benjamini, ishin kryetari, Ahiezeri, pastaj Joashi, bijtë e Shemah Gibeatitit; Jezueli e Peleti, bijtë e Azmavetit; Barakahu e Jehu Anatotiti, Ishmajah Gibeoniti, njëri nga tridhjetë trimat e mbi të tridhjetët. Jeremia, Jahazieli, Johanani e Jozabad Gederatitit, Eleuzai, Jerimoti, Bealjahu, Shemarjahu, Shefatjah Harufiti, Elkanahu, Ishjahu, Azareli, Joezeri, Jashobeami nga Korahitët, Joelahu e Zebadjahu, bijtë e Jerohamit nga Gedori.

Disa prej gaditëve u bashkuan me Davidin në strehimin e shkretëtirës. Ishin burra të fortë e ushtarë luftarakë, përdorues të shqytit e të heshtës, me pamje luani e të shkathët si sorkadhet e bjeshkëve. 10 Kryetari ishte Ezeri, i dyti Abdia, i treti Eliabi, 11 i katërti Mishmanahu, i pesti Jeremia, 12 i gjashti Ataji, i shtati Elieli, 13 i teti Johanani, i nënti Elzabadi, 14 i dhjeti Jeremia, i njëmbëdhjeti Makbanai. 15 Këta ishin prej bijve të Gadit, prijësit ushtarak. Më i vogli prijës për njëqind vetë e më i madhi për një mijë.

16 Këta e kaluan Jordanin në muajin e parë, kur fryhej e dilte nga brigjet gjithandej, dhe i dëbuan të gjithë banorët e luginës, në lindje e në perëndim. 17 Disa prej bijve të Benjaminit e të Judës shkuan deri te fortesa e Davidit. 18 Davidi u doli para, iu përgjigj e tha: «Nëse keni ardhur tek unë paqësisht, për të më ndihmuar, jam i gatshëm të bashkohem me ju me gjithë zemër, por nëse më dorëzoni te kundërshtarët, edhe pse duart e mia nuk kanë ushtruar dhunë, paftë e gjykoftë Perëndia i etërve tanë!».

19 Atëherë një shpirt e mbështolli Amasain, kreun e të tridhjetëve: «Ne jemi të tutë, David, e me ty, o biri i Jeseut. Paqe, paqe me ty e paqe me ata që të ndihmojnë, sepse të ndihmon Perëndia yt». Atëherë Davidi i mori e i caktoi krerë të trupave. 20 Disa nga bijtë e Manaseut u bënë me Davidin, kur mbërriti me filistinët në betejën kundër Saulit, por ata nuk i ndihmuan filistinët, ngaqë prijësit e filistinëve u këshilluan dhe e dëbuan, sepse thoshin: «E paguajmë me kokë. Ai do të bëhet me zotërinë e vet, Saulin». 21 Kur po shkonte në Ciklag, u bënë me të bijtë e Manaseut, që ishin Adnahu, Jozabadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihui e Ciletai, kryetari i një mijë manasenjve. 22 Ata e ndihmuan Davidin dhe trupat e tij, sepse ishin të gjithë trima të fortë e u bënë prijës ushtarakë.

23 Ditë për ditë vinin te Davidi për ta ndihmuar, derisa fushimi u bë i madh, si fushimi i Perëndisë. 24 Këta janë numrat e krerëve të armatosur, që erdhën te Davidi në Hebron, për t’ia dhënë atij mbretërinë e Saulit, siç e kishte thënë Zoti25 Bijtë e Judës, mbartës të shqytit e të heshtës, ishin gjashtë mijë e tetëqind të armatosur; 26 prej bijve të Simeonit, trima të fortë për luftë, shtatë mijë e njëqind; 27 prej bijve të Levit, katër mijë e gjashtëqind; 28 pastaj prijësi Jehojada prej shtëpisë së Aronit me tre mijë e shtatëqind; 29 Cadoku, djalosh trim e i fortë, me njëzet e dy prijës prej fisit të vet; 30 prej bijve të Benjaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë, sepse shumica e tyre kishte mbetur në shërbim të Saulit; 31 prej bijve të Efraimit, njëzet mijë e tetëqind trima të fortë, burra në zë për fiset e tyre; 32 nga gjysma e fisit të Manaseut, tetëmbëdhjetë mijë, të cilët u caktuan me emër, që të vinin për ta shpallur Davidin mbret; 33 prej bijve të Isaharit, që i njihnin mirë kohërat dhe e dinin çfarë duhej të bënte Izraeli, dyqind krerë me të gjithë vëllezërit që kishin nën urdhra; 34 nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë luftëtarë të përgatitur për betejë me të gjitha armët ushtarake, të gatshëm për të ndihmuar pa mëdyshje; 35 nga Neftaliu, një mijë prijës me tridhjetë mijë shqytarë e heshtarë; 36 nga danitët, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind, të gatshëm për luftë; 37 nga Asheri, dyzet mijë luftëtarë të përgatitur për betejë.

38 Nga matanë Jordanit, prej rubenitëve, prej gaditëve e prej gjysmës së fisit të Manaseut, njëqind e njëzet mijë me të gjitha armatimet për luftë. 39 Të gjithë këta, burra luftarakë, të gatshëm për betejë, shkuan në Hebron me mendje të mbushur për ta shpallur Davidin mbret mbi mbarë Izraelin. Edhe të gjithë izraelitët e tjerë ishin në një mendje për ta shpallur Davidin mbret. 40 Ata ndenjën me Davidin tri ditë, duke ngrënë e duke pirë çfarë u kishin përgatitur vëllezërit. 41 Edhe të afërmit e tyre nga Isahari, Zabuloni e Neftaliu erdhën e sollën ushqim me gomarë, me deve, me mushka e me qe. Sollën miell, kuleç me fiq, rrush të thatë, verë, vaj, qe e dele, sepse pati gëzim në Izrael.