1 Korintasve 8

Ushqimet flijuar idhujve

Lidhur me mishin që u flijohet idhujve, e dimë se të gjithë i kemi njohuritë e duhura. Por dija të rrit mendjen, ndërsa dashuria të rrit në besim. Ai që mendon se di diçka, ende nuk di siç duhet të dijë. Por ai që e do Perëndinë, njihet prej Perëndisë.

Lidhur me ngrënien e mishit që u flijohet idhujve, e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se ka vetëm një Perëndi. Edhe pse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell apo në tokë, sikurse thuhet se ka shumë perëndi e shumë zotër, për ne ka vetëm një Perëndi, Ati, nga i cili është krijuar gjithçka dhe të cilit i përkasim, dhe një Zot, Jezu Krishti, përmes të cilit u krijua gjithçka e përmes të cilit jetojmë edhe ne.

Por jo të gjithë i kanë njohuritë e duhura. Disa që nuk i kanë hequr ende doket e idhujtarisë, e hanë mishin që u flijohet idhujve si t’u përkiste idhujve. Kështu, ndërgjegjja e tyre e dobët përlyhet. Ushqimi nuk do të na çojë më pranë Perëndisë. Nuk humbasim asgjë nëse nuk hamë; dhe nuk fitojmë asgjë, nëse hamë.

Por kini kujdes që liria juaj të mos bëhet pengesë për më të dobëtit në besim. 10 Nëse ndonjë prej tyre të shikon ty që ke njohuri në një tryezë ku hahet mish që u është flijuar idhujve, a nuk do ta shtyjë atë ndërgjegjja e dobët që të shkojë e të hajë mishin që u flijohet idhujve? 11 Kështu, për shkak të dijes sate do të humbasë i dobëti, vëllai, për të cilin vdiq Krishti. 12 Pra, duke mëkatuar ndaj vëllezërve dhe duke lënduar ndërgjegjen e tyre të dobët, mëkatoni ndaj Krishtit. 13 Prandaj, nëse ushqimi im bëhet pengesë për vëllain tim, unë nuk do të ha kurrë mish, që mos t’i bëhem pengesë.