1 Korintasve 5

Kundër kurvërisë

Kudo dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që nuk e gjen as ndër kombe. Njëri nga ju ka marrë gruan e të atit e ju më krekoseni. A nuk do të ishte më mirë të vajtonit, që të shporret nga ju ai që ka bërë një vepër të tillë? Megjithëse unë nuk jam aty me trup, jam aty me shpirt dhe tashmë e kam gjykuar atë që e ka bërë këtë gjë, si të isha aty. Kur të mblidheni në emër të Zotit tonë Jezu do të jem edhe unë shpirtërisht me ju dhe atëherë me fuqinë e Zotit tonë Jezu dorëzojani atë njeri Satanit për t’i shkatërruar trupin, që t’i shpëtojë shpirti ditën e Zotit.

Nuk është mirë të mburreni! A nuk e dini se pak tharm mbrun gjithë brumin? Pastrohuni nga tharmi i vjetër, që të bëheni brumë i ri, ashtu siç jeni pa tharm, sepse Krishti, Pashka jonë, është flijuar. Të mos kremtojmë me tharmin e vjetër, me tharmin e së keqes e të ligësisë, por me bukët e ndorme të pastërtisë e të së vërtetës.

Në letër ju shkrova që të mos përziheni me kurvarë. 10 Nuk bëhet fjalë për të gjithë kurvarët e kësaj bote, as për lakmitarët, zhvatësit apo idhujtarët, se do të duhej të iknit nga bota, 11 por tani po ju shkruaj që të mos përziheni me ndonjë që e quan veten vëlla, por është kurvar, lakmitar, idhujtar, shpifës, pijanec, apo zhvatës. Mos hani me të! 12 Ç’punë kam unë të gjykoj ata që janë jashtë kishës? A nuk i gjykoni ju ata që janë brenda saj? 13 Ata që janë jashtë kishës i gjykon Perëndia. Zhdukeni ligësinë nga mesi juaj!