1 Korintasve 2

Vetëm Krishtin e kryqëzuar

Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju për t’ju shpallur shestimin e fshehtë të Perëndisë, nuk erdha me fjalë të mëdha apo me urti të madhe. Sepse e gjykova të drejtë që të mos ju mësojab asgjë tjetër, përveç Jezu Krishtit dhe madje, Jezu Krishtit të kryqëzuar.

Prandaj erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me tmerr. Fjalët e mia dhe predikimi im nuk u mbështetën në fjalë bindëse plot urti, por në dëftimin e Shpirtit dhe të fuqisë së Perëndisë, që besimi juaj të mos mbështetet në urtinë njerëzore, por në fuqinë e Perëndisë.

Zbulesa nga Shpirti i shenjtë

Megjithatë ne u flasim për urti atyre që janë të pjekur shpirtërisht, por jo për urtinë e kësaj epoke e as për urtinë e prijësve të kësaj bote që shkojnë drejt shkatërrimit. Ne flasim për urtinë e shestimit të Perëndisë, të fshehur për njerëzit, por që ai e kishte paracaktuar përpara kësaj jete, që ne të marrim pjesë në lavdinë e tij. Asnjë nga prijësit e kësaj bote nuk e ka njohur këtë urti, sepse po ta njihnin, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, siç është shkruar:

ato gjëra

që syri nuk i pa

e veshi nuk i dëgjoi

dhe që nuk hynë

në zemrën e njeriut,

Perëndia i ka përgatitur

për ata që e duan.

10 Ndërsa neve Perëndia na i zbuloi nëpërmjet Shpirtit, sepse Shpirti shqyrton gjithçka, madje edhe vetë thellësitë e Perëndisë. 11 Kush i njeh të fshehtat e njeriut, përveç shpirtit të tij? Po kështu edhe të fshehtat e Perëndisë nuk i njeh askush, përveç Shpirtit të Perëndisë. 12 Ne nuk kemi marrë shpirtin e kësaj bote, por Shpirtin që vjen nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar prej tij.

13 Këto që themi, nuk i kemi nga fjalë të mësuara me urti njerëzore, por nga fjalë të mësuara prej Shpirtit, duke ua shtjelluar gjërat shpirtërore atyre që kanë marrë Shpirtin e shenjtë. 14 Njeriu që nuk e ka marrë Shpirtin e shenjtëc, nuk i pranon të vërtetat e Shpirtit të Perëndisë. I duken marrëzi e nuk mund t’i kuptojë, sepse ato duhet të gjykohen në mënyrë shpirtërore. 15 Ndërsa njeriu që e ka marrë Shpirtin e shenjtë, kupton gjithçka e askush nuk mund ta kuptojë gjykimin e tij,

16 sepse, kush i njohu mendimet e Zotit,

që t’i japë mend atij?

Por ne kemi mendjen e Krishtit.


 b2.2 ose: të mos di

 c2.14 ose: njeriu natyror