1 Korintasve 14

Gjuhët dhe profecia

Kërkoni që të fitoni dashurinë dhe dëshironi me zell dhuntitë shpirtërore, sidomos atë të profecisë. Ai që flet gjuhë të panjohur, nuk flet me njerëzit, por me Perëndinë, sepse nuk e kupton askush. Me fuqinë e Shpirtit ai thotë gjëra të fshehta, ndërsa ai që profetizon, u flet njerëzve me fjalë që rrisin shpirtërisht, nxisin e ngushëllojnë.

Ai që flet gjuhë të panjohur, ndihmon veten për t’u rritur në besim, ndërsa ai që profetizon, ndihmon kishën për t’u rritur në besim. Do të doja që të gjithë ju të flisnit gjuhë të panjohura, por më shumë do të doja të profetizonit. Ai që profetizon është më i madh se ai që flet gjuhë të panjohura, vetëm nëse ky e shpjegon gjuhën që flet, që kjo të shërbejë për rritjen e kishës.

Nëse vij te ju, o vëllezër, duke folur në gjuhë të panjohura, çfarë dobie do të keni nëse nuk ju flas për ndonjë zbulesë, njohuri, profeci apo mësim? Nëse veglat muzikore që nuk kanë shpirt, fyelli apo qestja, nuk japin tinguj të qartë, si do të dallohet melodia e fyellit nga e qestes? Nëse trumbeta nuk lëshon tingull të qartë, kush do të bëhej gati për betejë?

Po ashtu edhe ju, nëse flisni fjalë të pakuptueshme, kush do t’i kuptonte fjalët tuaja? Ato do të ishin fjalë në erë! 10 Në botë ka larmi gjuhësh, por asnjëra nuk është pa kuptim. 11 Nëse nuk e kuptoj gjuhën që më flasin, do të jem i huaj për atë që më flet dhe ai do të jetë i huaj për mua. 12 Kështu edhe ju, meqë dëshironi shumë të keni dhunti shpirtërore, kërkoni që t’i keni me tepri për rritjen e kishës.

13 Prandaj, ai që flet gjuhë të panjohur, të lutet që të marrë edhe dhuntinë për ta shpjeguar. 14 Nëse lutem në gjuhë të panjohur, shpirti im lutet, por mendja ime nuk bashkëvepron. 15 Çfarë të bëj, atëherë? Do të lutem me shpirt, por do të lutem edhe me mendje. Do të këndoj himne me shpirt, por do të këndoj edhe me mendje.

16 Sepse, nëse ti e bekon Perëndinë me shpirt, si do t’i përgjigjet «Amen» falënderimit tënd dëgjuesi i thjeshtë i bashkësisë, përderisa nuk i kupton ato që thua? 17 Ti mund të bësh një lutje të bukur falënderimi, por tjetri nuk rritet në besim. 18 E falënderoj Perëndinë, sepse flas më shumë gjuhë të panjohura se të gjithë ju, 19 por në kishë dua të them pesë fjalë që kuptohen, që të tjerët të mësojnë më mirë, sesa dhjetë mijë fjalë në një gjuhë të panjohur.

20 Vëllezër, mos u bëni si fëmijë nga mendja. Jini si foshnja para së keqes, por të pjekur nga mendja. 21 Në ligj është shkruar:

«Këtij populli

do t’i flas me njerëz

që flasin gjuhë të tjera

dhe me gojën e të huajve,

por as kështu

nuk do të më dëgjojnë», thotë Zoti.

22 Prandaj gjuhët nuk janë shenjë për ata që besojnë, por për ata që nuk besojnë, ndërsa profecia nuk është për ata që nuk besojnë, por për ata që besojnë. 23 Nëse mblidhet kisha në një vend e të gjithë flasin gjuhë të panjohura dhe po të hyjnë aty njerëz që nuk dinë ose që nuk besojnë, a nuk do të thonë se jeni marrosur? 24 Por nëse të gjithë do të profetizojnë dhe aty hyn ndonjë që nuk beson apo nuk di, atëherë ai do të ndihet i qortuar dhe i dënuar nga ato që dëgjon. 25 Të fshehtat e zemrës së tij do të shfaqen dhe duke rënë me fytyrë përdhe do të adhurojë Perëndinë e do të thotë: «Perëndia është me të vërtetë mes jush».

Gjithçka me rregull

26 Çfarë duhet bërë atëherë, o vëllezër? Kur të mblidheni së bashku, dikush mund të këndojë një himn, dikush mund të japë një mësim, dikush mund të ketë një zbulesë, dikush një gjuhë të panjohur dhe dikush një shpjegim të gjuhës. Të gjitha le të bëhen për rritjen shpirtërore të kishës. 27 Nëse dikush dëshiron të flasë në gjuhë të panjohur, le të flasin dy ose e shumta tre veta, njëri pas tjetrit, dhe njëri të shpjegojë. 28 Po të mos ketë ndonjë që mund të shpjegojë, atëherë ai që flet në gjuhë të panjohur të heshtë në kishë dhe të flasë me veten e me Perëndinë.

29 Nga profetët të flasin dy ose tre, ndërsa të tjerët të gjykojnë ato që thuhen. 30 Por nëse ndonjëri nga ata që rrinë ulur ka ndonjë zbulesë, atëherë ai që është duke folur, le të heshtë. 31 Një nga një të gjithë mund të profetizoni, që të mësojnë dhe të marrin zemër të gjithë. 32 Profetët duhet ta zotërojnë mirë dhuntinë që u është dhënë, 33 sepse Perëndia nuk është Perëndi trazirash, por paqeje.

Ashtu siç ndodh në të gjitha kishat e të shenjtëve, 34 gratë le të heshtin në kishë. Atyre nuk u lejohet të flasin, por duhet të nënshtrohen, siç thotë ligji. 35 Nëse duan të mësojnë ndonjë gjë, le të pyesin burrat e tyre në shtëpi, sepse është turp për gruan të flasë në kishë. 36 A thua doli nga ju fjala e Perëndisë, apo mbërriti vetëm te ju?

37 Nëse ndokush mendon se është profet apo njeri shpirtëror, ai duhet ta kuptojë se këto që ju shkruaj janë urdhërime të Zotit. 38 Kush nuk i pranon, të mos pranohet. 39 Kështu, vëllezërit e mi, kërkoni më shumë të profetizoni, por mos ndaloni të flitet në gjuhë të panjohura. 40 Gjithçka të bëhet siç ka hije dhe me rregull.