1 Korintasve 1

Përshëndetje

Unë, Pali, i thirrur për të qenë apostull i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë dhe vëlla Sosteni, po i shkruajmë kishës së Perëndisë, që është në Korint, të shenjtëruarve përmes Jezu Krishtit, të thirrurve për të qenë të shenjtë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend thërrasin emrin e Zotit tonë Jezu Krisht, Zotit të tyre dhe Zotit tonë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht!

E falënderoj Perëndinë tim gjithnjë për ju, që ju dha hirin e tij me anë të Jezu Krishtit. Ai ju pasuroi në gjithçka, në çdo fjalë e në çdo dije. Kështu, dëshmia për Krishtin u përforcua aq shumë ndër ju, saqë nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërkohë që prisni ardhjena e Zotit tonë Jezu Krisht. Ai do t’ju mbajë të fortë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në Ditën e Zotit tonë Jezu Krisht. Perëndia, që ju thirri në bashkësi me Birin e tij Jezu Krishtin, Zotin tonë, është besnik.

Përçarje në kishë

10 Vëllezër, ju lutem në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, të jeni të gjithë në një mendje për atë që thoni dhe të mos keni përçarje mes jush, por të jeni të bashkuar në mendime e arsyetime. 11 Sepse, vëllezërit e mi, disa nga njerëzit e Kloesë më njoftuan se mes jush ka grindje. 12 Këtë e them, sepse një prej jush thotë: «Unë jam i Palit», ndërsa tjetri thotë: «Unë jam i Apolit», ose: «Unë jam i Kefës», ose: «Unë jam i Krishtit».

13 Pse, i ndarë qenka Krishti? A mos u kryqëzua Pali për ju, apo mos u pagëzuat në emër të Palit? 14 Falënderoj Perëndinë, që, përveç Krispit dhe Gajit, nuk kam pagëzuar asnjë prej jush, 15 që të mos thotë askush se u pagëzua në emrin tim. 16 Po, kam pagëzuar edhe ata të shtëpisë së Stefanait, por nuk di të kem pagëzuar edhe ndonjë tjetër. 17 Krishti nuk më ka dërguar të pagëzoj, por të shpall ungjillin, dhe jo me dituri fjalësh, që të mos humbasë fuqia e kryqit të tij.

Predikimi i kryqit

18 Predikimi i kryqit është marrëzi për ata që shkojnë në humbje, por për ne të shpëtuarit është fuqia e Perëndisë. 19 Sepse është shkruar:

urtinë e të urtëve

do ta shkatërroj,

ndërsa mençurinë e të mençurve

do ta hedh tej.

20 Ku është, pra, i urti? Ku është shkruesi? Ku është hulumtuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri Perëndia marrëzi urtinë e kësaj bote? 21 Meqenëse njerëzit nuk e njohën Perëndinë nëpërmjet urtisë, atëherë Perëndia, me urtinë e tij, parapëlqeu t’i shpëtojë ata që besojnë, nëpërmjet marrëzisë së predikimit. 22 Judenjtë kërkojnë shenjë dhe helenët kërkojnë urti, 23 ndërsa ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar që u bëhet pengesë judenjve dhe marrëzi kombeve. 24 Por për ata që janë thirrur nga Perëndia, judenj apo helenë, Krishti është fuqia e Perëndisë dhe urtia e tij. 25 Marrëzia e Perëndisë është më e urtë se njerëzit dhe dobësia e tij është më e fortë se ata.

26 Vëllezër, shikoni kush jeni ju që u thirrët nga Perëndia! Ndër ju, nga ana njerëzore, nuk ka shumë të urtë, as shumë të fortë e as shumë fisnikë. 27 Por Perëndia zgjodhi të marrët sipas botës për të turpëruar të urtët, zgjodhi të dobëtit sipas botës për të turpëruar të fortët.

28 Ai zgjodhi gjërat jo të fisme e të përbuzura të botës, ato që nuk janë asgjë në sytë e saj, për të shkatërruar ato që sipas botës janë të rëndësishme. 29 Kështu, askush nuk mund të mburret para Perëndisë. 30 Por, ai bëri që ju të jeni të bashkuar me Jezu Krishtin, që u bë për ne urtia e Perëndisë. Krishti na bëri të drejtë, na shenjtëroi e na shpengoi, 31 ashtu siç është shkruar: kush krenohet, të krenohet në Zotin.


 a1.7 ose: zbulesën